Ballina Europë Konferenca e Sigurisë në Mynih/ Vendet e G7: Riafirmojmë mbështetjen e palëkundur...

Konferenca e Sigurisë në Mynih/ Vendet e G7: Riafirmojmë mbështetjen e palëkundur për Ukrainën

54
0

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 riafirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën, pas një takimi në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

”Anëtarët e G7-s diskutuan luftën shkatërruese të Rusisë në Ukrainë. Ata nënvizuan angazhimin e tyre për të punuar së bashku për të ndihmuar për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe një Ukrainë të fortë dhe të begatë dhe riafirmuan nevojën për të zhvilluar garanci të forta sigurie”, thanë ministrat në një deklaratë të përbashkët.

Në takimin e kryediplomatëve të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Japonisë dhe Italisë, si dhe të BE-së, mori pjesë edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.

Ukraina ka mbrojtur veten kundër një pushtimi rus në shkallë të plotë për gati tre vjet me mbështetjen e Perëndimit.

Vendet e G7 kanë ofruar mbështetje ushtarake dhe financiare për Kievin, përfshirë vënien në dispozicion të Ukrainës asetet shtetërore ruse të ngrira në Perëndim.

Deklarata nuk përjashton sanksione të reja kundër Rusisë.

”Çdo sanksion i ri shtesë pas shkurtit duhet të lidhet me faktin nëse Federata Ruse hyn në përpjekje reale dhe me besim të mirë për t’i dhënë një fund të qëndrueshëm luftës kundër Ukrainës që i garanton asaj siguri dhe stabilitet afatgjatë si një vend sovran dhe i pavarur”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Shtetet gjithashtu u angazhuan për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Ato mbështetën marrëveshjen e negociuar mes Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas, e cila parashikon një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Ata gjithashtu bënë thirrje për një rritje të ndihmave humanitare për Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta.