Ballina Kulturë Muzeu Oriental “Bratko”, Filo: Një tjetër pikë kyçe turistike dhe kulturore në...

Muzeu Oriental “Bratko”, Filo: Një tjetër pikë kyçe turistike dhe kulturore në Korçë

60
0

Muzeu Oriental “Bratko” në qytetin e Korçës, pas rikonstruksionit është shndërruar në një atraksion të jashtëzakonshëm për vizitorët.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i bashkisë, Sotiral Filo, teksa ndau në rrjete sociale pamje nga mjediset e restauruara të muzeut dhe të arreduara me shumë kujdes me pajisje, objekte dhe piktura, që prezantojnë vlerat autentike të trashëgimisë historike e kulturore të qytetit.

“Me hapësira tashmë moderne muzeu ofron një përvojë fantastike për të zbuluar trashëgiminë e pasur orientale”, u shpreh Filo.

Sipas tij, ky muze do të jetë një tjetër pikë kyçe turistike dhe kulturore në Korçë, duke ofruar aktivitete dhe evente që do të tërheqin vizitorë nga e gjithë bota.

Muzeu i Artit Oriental “Bratko” u çel në qershor të vitit 2003, duke përmbushur ëndrrën e Dhimitër Borjes (1903-1990), artist, fotograf dhe koleksionist i artit aziatik dhe antikuareve.

Në këtë muze ekspozohen 432 objekte si piano, altar kinez, veshje për gra japoneze, funde e rripa kinezë, shpatë indoneziane, medalje europiane, piktura japoneze, fotografi të ndryshme, të cilat Borja i ka realizuar kur shërbente në Ballkan me misionin e OKB-së.

Pamjet fotografike janë krejt të veçanta. Ato tregojnë historinë shoqërore e kulturore menjëherë pas Luftës, si dhe rolin e rëndësishëm që luajti gjeneral MacArthur-i në rindërtimin ekonomik dhe institucional të Japonisë.