Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) vlerëson se ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve mbeten në një situatë të vështirë financiare dhe subvencionet që merren nga qeveria kanë shkuar ndër të tjera për paga dhe sigurime shoqërore të punonjësve.
Në një raport të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) detajohen llojet e subvencioneve që ndërmarrjet kanë marrë për disa vite me radhë dhe se ku janë orientuar këto fonde.
“AKUK akordon çdo vit subvencion për Ujësjellës Kanalizimet që janë në vështirësi financiare dhe ekonomike. Rezulton se për vitin 2020 janë dhënë 3 lloje subvencionesh (për energjinë elektrike, Covid dhe detyrimet tatimore) ndërsa për vitin 2021 dhe 2023 subvencioni është dhënë për energji elektrike.
Rezulton se situata financiare e ujësjellësve është jo e mirë pasi subvencionet janë përdorur për të kryer pagesat e pagave të punonjësve, sigurime shoqërore dhe tatime të cilat janë detyrime të mbartura. Gjithashtu konstatohet se ujësjellësit kanë detyrime energji elektrike të mbartura duke e rënduar edhe më tepër situatën me kamatëvonesa për mos shlyerje detyrimesh në kohë” thuhet në raport.
Por audituesit kanë konstatuar se pavarësisht parave që kanë marrë ndërmarrjet nga buxheti i shtetit, përmes Agjencisë, kjo e fundit nuk disponon asnjë evidencë apo dokumentacion mbi përdorimin faktik të vlerave të akorduara si subvencion për Ujësjellësit. Në vitin 2023 sipas të dhënave zyrtare ujësjellësit gjeneruan 10.3 miliardë lekë të ardhura ndërsa subvencionet ishin 310 milionë lekë.
Situata e vështirë financiare e ujësjellësve është lakuar herë pas herë, diçka që ishte edhe arsyeja kryesore e reformës së agregimit nisur dy vite më parë. Tashmë shumica e ndërmarrjeve është bashkuar duke krijuar shoqëri më të mëdha, me përjashtim të Tiranës, Kamzës dhe Vorës.
Enti Rregullator i Ujit (ERRU) në vijim të kësaj reforme ka miratuar vitin e shkuar rishikim në rritje të çmimit të ujit për ndërmarrjet që kanë aplikuar duke mbajtur parasysh për këto miratime arritjen e disa treguesve të performancës nga këto ndërmarrje.