Ballina Kulturë Marshi i qoftëlargut – 33 vjet dhe ende marshon

Marshi i qoftëlargut – 33 vjet dhe ende marshon

55
0
Nga Ymer Nurka 
Marshi i qoftëlargut
Nëpër turmë, nëpër zhurmë,
i paudhë po le gjurmë, me babëzi.
Herë i zi, herë i murrmë,
zgjatet vargu e stërzgjatet, lukuni.
Me lëvdata, si shamata, me lëngata
kaq te gjata, si mandata, lemeri.
Ne të pritëm, porsi dritën e të ngritëm
e të ngjitëm, si të ishe perëndi.
Ja, ti erdhe dhe u derdhe
dhe na shtrydhe e na zverdhe, si limoni.
Ditë pas dite, nëpër vite u zvarrite,
ja u ngjite dhe u ngrite, për tek froni.
Dhe na shave e na vrave
dhe na ndave e përçave, si demoni.
Ja dhe gjyqet, ja dhe kryqet, ja dhe qyqet, që të presin, ja dhe honi!
Si na ndrite e spërndrite, brohorite
dhe u shite, nga gjithë qëniet më i rralli!
Si na ndrydhe, ti na ndyve dhe na rope
e na shtyve nëpër kurthe, porsi halli.
Pa na cyte, kacafyte, ti na mbyte
dhe na zhyte nëpër llucë, përsëgjalli.
Edhe jetën, si na vele, ti na nxive
e na shkele me këpucë, porsi djalli.
Si na thinje dhe na mardhe, ti na nginje
e na zbardhe veç me shpresë.
Nuk u tkurre, veç u mburre dhe na rrejte dhe u fryve me ca bejte, si këndes.
Ngado vajte, ngado shkove, na u ngjite, porsi rrodhe dhe na vodhe ti, çdo pjesë.
Na u turre dhe na ndoqe e na poqe
dhe na pshurre majë kresë.