Ish-Presidenti Bamir Topi, i ftuar në një emision televiviz, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Topi ka theksuar se pohimi i Ramës se SPAK është nën ndikimin e Partisë Socialiste është i pabazë.
“Deklarata e Ramës se SPAK është aty prej PS është e pabazë. SPAK është një institucion i ndërtuar për të realizuar drejtësinë dhe është mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-të. Ka pasur një motivim dhe presion pozitiv për të krijuar një institucion të pavarur dhe të fuqishëm që do të luftojë korrupsionin”, u shpreh Topi.
Ai bëri një paralelizëm me çlirimin e Kosovës, duke nënvizuar se, ashtu si në rastin e Kosovës që lindi si pasojë e një vendimi të fuqishëm të SHBA-ve dhe aleatëve, edhe në Shqipëri faktorët politikë dhe mbështetje e partnerëve ndërkombëtarë kanë qenë të domosdoshëm për krijimin dhe konsolidimin e SPAK.
“Nëse ndërtohet një institucion në funksion të drejtësisë, një institucion i munguar, faktorët politikë shqiptarë mund të përpiqen të ndikojnë, por nuk ka shans të shkrihet SPAK. Ky institucion ka mbështetje të fortë dhe është i konsoliduar”, tha ish-presidenti.