Kosova është vend me bukuri të rralla natyrore, dhe historike. Një ndër qytetet më të rëndësishme që po bëhet vend tërheqës për t’u vizituar nga turistët, është edhe Prizreni me histori dhe bukuri natyrore.
Lidhja e Prizrenit, Kalaja, Lumëbardhi, objektet e kultit dhe Prevalla, po e bëjnë këtë qytet të vjetër një prej destinacioneve më të preferuara në Kosovë.
Prizreni i bukur këto ditë të ftohëta është bërë atraktiv për vizitorë nga Shipëria, Spanja si dhe nga Japonia.
Alberto Nicolau nga Spanja i cili kishte ardhur me partneren e tij për ta vizituar këto ditë Prizrenin, është shprehur për KosovaPress se ajo çka po e bënë të veçantë këtë qytet, është Kalaja e Prizrenit dhe objektet fetare. Ai tha se Prizreni ka vende dhe objekte të bukura që është e nevojshme të promovohet edhe më shumë për turistët e huaj.
Nicolau: Kalaja është shumë interesante edhe tre ndërtesat e ndryshme fetare
“Mendoj se kalaja është shumë interesante, po ashtu edhe tri ndërtesat e ndryshme fetare këtu. Xhamia, kisha ortodokse dhe kisha katolike… Donim të dinim më shumë për Ballkanin, ky rajon është paksa jo shumë turistik nga jashtë, nuk e di për brenda, por është një rajon për t’u zbuluar”,është shprehur Nicolau.
Ndërsa, partneres së Albertos, Roser Nicolau, pamja përreth qytetit me pyje dhe ambienti i pastër, iu duken interesante. Përveç kësaj, ajo tha se në qytetin e bukur në Prizren po ndihet edhe mjaft e sigurt.
Nicolau: Pamjet shumë interesante, pasi ka shumë male që e rrethojnë qytetin
“Mua gjithashtu më duken pamjet shumë interesante, pasi ka shumë male që e rrethojnë qytetin…Është vërtetë i bukur. Për tani, ndjej sikur është mjaft i sigurt, më i sigurt sesa prisja, kështu që kjo është një pikë pozitive”, ka thënë ajo.
Turistja tjetër, e quajtur Silva nga Japonia, që sapo kishte mbërritur në Prizren, kishte dalur për ta “eksploruar” qytetin. Silva theksoi se në këtë qytet të vjetër, objektet historike dhe fetare, të gjitha në një vend, janë pak metra larg njëra- tjetrës.
Silva: Të gjitha janë në një vend dhe do të jetë e lehtë ta eksplorojmë
“Kam mbërritur para disa ore dhe do të ekspërojm Prizrenin se si duket. Është një qytet i mirë dhe të gjitha janë në një vend dhe do të jetë e lehtë ta eksplorojmë”, ka vijuar ajo.
E Uetuuru Kambato nga Afrika, një sportist i cili luan në Klubin e futbollit “Liria”,thekson se tërheqës për të është Shatërvani.Kambato, ka shprehur interesin edhe të jetojë në Prizren.
Kambato: Ajo që tërheq turistët në këtë vend është shatërvani
“Në Prizren si vendi më tërheqës mua më duket bregu i lumit. Edhe shatërvani, ndoshta është më i bukuri, si dhe kalaja. Mendoj se ajo që tërheq turistët në këtë vend është bregu i lumit dhe shatërvani… Jam këtu për futboll, luaj për klubin e futbollit Liria… Është një vend i bukur, historia dhe njerëzit janë të mirë, do të jetoja këtu”, ka shtuar Kambato.
Për turizmin në këtë qytet folën edhe nga Shoqata e Turizmit dhe nga Drejtoria e Turizmit në Komunën e Prizrenit.Ramadan Tarashaj nga kjo drejtori thotë se numri më i madh i turistëve është nga Shqipëria dhe vendet tjera. Sipas tij, institucionet përkatëse në Kosovë duhet ta promovojnë sa më shumë turizmin, pasi që sipas tij, Prizreni dhe vendet tjera kanë potencial për këtë sektor.
Tarashaj: Deri më tani nuk kemi pasur shumë përkrahje nga ministria
“Numrin e parë që kemi më të lartë, është prej Shqipërisë, që shfrytëzojnë Prevallën. Pastaj vizitorë nga Turqia, kanë filluar edhe shtetet arabe, Japonia, kemi thuajse nga e gjithë bota dhe Evropa.. Synimi jonë është që të ketë edhe vende për fjetje sa më shumë në qytetin tonë, sepse deri tani kemi vetëm vizitorë ditorë…12:26 Turizmi ndikon shumë në qytetin e Prizrenit sepse sa më shumë që kemi turist ka ngritje të gastronomisë, rritje edhe në shumë gjëra artizanale… Nevojitet pak më shumë përkrahje prej ministrisë sepse deri më tani nuk kemi pasur shumë përkrahje nga ministria (MINT). Kosova duhet të jetojë edhe prej turizmit jo vetëm prej prodhuesve”, ka potencuar Tarashaj.
Ndërsa, kryetari i shoqatës së turizmit “Educo”, Veron Tara, ka theksuar se që prej pandemisë Covid-19, Prizreni është vizituar nga mbi një milion turistë. Tara ka thënë se në Prizren nuk ka më sezon, pasi që sipas tij vizitohet gjatë 12 muajve të vitit.
Tara: Kjo e ka edhe anën negative pasi që kemi edhe një lloj të turizmit masiv
“Pas pandemisë kemi pasur një numër jashtëzakonisht të shumë fishuar të turistëve,përafërsisht kemi pasur mbi një milion turistë. Prizreni e ka humbur më sezonin, kemi pasur prill ose maj tetor, por tash 12 muaj kemi sezonin… kemi edhe një lloj të turizmit masiv, që sado që ka anë pozitive, për shkak të prurjes së numrit të vizitorëve ka edhe anën negative. Disa prej tyre janë që “ngushtohet”qyteti, ngulfatet prej njerëzve, numër i madh i veturave.”, ka theksuar Tara.
Sipas Agiencisë së Statistikave të Kosovës, përveç Prizrenit, edhe Prishtina dhe Peja mbesin vendet më të vizituara në Kososë.