Ballina Ekonomia Turizmi dhe ndërtimi, sektorët me informalitetin më të lartë në Shqipëri

Turizmi dhe ndërtimi, sektorët me informalitetin më të lartë në Shqipëri

112
0

Rritja e të ardhurave, që ka tejkaluar parashikimet, ka ndihmuar në rënien e borxhit publik përtej pritshmërive në vitin 2024. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2024 borxhi publik arriti në 54,74% e PBB-së, me një rënie prej 2,7 pikësh në raport me vitin 2023. Ky ishte niveli më i ulët i borxhit publik në raport me PBB-së që nga viti 2008.

Rënie më të madhe pati stoku i borxhit të jashtëm, i cili në vitin e kaluar rezultoi në 23,1% të PBB-së, duke rënë nga 26,2% në vitin 2023. Borxhi publik është poshtë nivelit prej 55% të PBB-së për vitin 2024, kundrejt pritshmërive që parashikonin më shumë se 58%.

Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar lajmëroi së fundmi se shpenzimet publike të vendit do të rriten së paku me 7% të PBB-së në dhjetë vitet e ardhshme (afërsisht 1,7 mld euro).

Në vitin 2024, shpenzimet publike të vendit ishin rreth 31% të PBB-së, por në dekadën në vijim do të duhet të arrijnë mbi 38% të PBB-së, për shkak të nevojave më të larta për financimin e skemës së pensioneve dhe për financimet më të mëdha në sektorin e shëndetësisë, si pasojë e plakjes së popullsisë.

Stafi teknik i FMN-së projekton një rritje të shpenzimeve buxhetore, duke filluar nga viti 2026. Faktorët që do të ndikojnë më shumë janë shpenzimet për sigurime shoqërore, shpenzimet më të mëdha për mirëmbajtje dhe digjitalizim.

Për të ruajtur balancat, shpenzimet publike duhet të shoqërohen me rritje të të ardhurave. Veçanërisht, konsiderohet e rëndësishme reforma e pensioneve, e cila duhet të sigurojë një mbulim më të mirë të popullsisë me kontribute. Për rritjen e të ardhurave për sigurimet shoqërore, do të duhen reforma që përfshijnë uljen e informalitetit në tregun e punës, duke përfshirë edhe sektorin bujqësor.

Gjithashtu, aktualisht vendi ynë ka raportin më të ulët të grumbullimit të taksave dhe tatimeve në raport me Rajonin dhe Europën. Strategjia afatmesme e të ardhurave 2014–2027 synon administrimin e ri të të ardhurave mbi pronat, duke filluar nga viti 2026, dhe një rishikim të taksave mbi pronat deri në vitin 2027.

Autoritetet shqiptare parashikojnë që të ardhurat në raport me PBB të rriten me 2,5% deri në vitin 2027. Këto rezultate do të arrihen kryesisht përmes përmirësimit të administrimit (luftës kundër informalitetit), çka pritet të kontribuojë me 2,3 pikë, megjithëse stafi i FMN-së beson se rritja e të ardhurave nga kjo masë nuk mund të jetë më shumë se 1,2–1,8.

Sipas ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, autoritetet fiskale në Shqipëri duhet të forcojnë masat e administrimit fiskal në sektorin e ndërtimit dhe të turizmit. Këto dy sektorë historikisht janë karakterizuar nga nivele të larta të informalitetit, por vitet e fundit, rritja ekonomike e vendit po udhëhiqet nga këto dy sektorë, të cilët do të duhet të fiskalizohen./ Monitor