Kryeministri Edi Rama komenton 24 masat e sigurisë në mbledhjen e grupit të PS.
Ne nuk mund të japim hapësirë dhe s’mund të bëjmë dëgjesa me persona në hetim, së dytë është mirë ta dinë të gjithë se para se ju të kandidonit për rektor i keni drejtuar një letër SPAK dhe i keni kërkuar të sqarojë për ju nëse ky kandidim do kishte ndonjë pengesë për shkak të statusit dhe përgjigja ka qenë për ju që mund të kandidoni. Të gjithë duhet ta kuptojnë që shqetësimi në këtë rast nuk lidhet me faktet apo fajësinë apo pafajësinë e personave, por lidhet me nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për një Universitet që është në një kthesë historike dhe që e ka të ardhmen e vet të varur nga një partneritet strategjik me të një ndër universitetet me të vjetra të botës. Gjëja e parë që mua më ka shkuar në mend kur kam marrë këtë lajm, është se çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë 24 veta masë sigurie, një numër marramendës për një çështje që ka dy apo tre vjet dhe që s’ka asnjë lloj flagrance, s’ka asnjë lloj arsyeje për të krijuar këtë goditje për një institucion të arsimit të lartë. Aq më tepër që bëhet fjalë për fonde të kërkimit shkencor, ku nëse ka pasuar abuzime, abuzuesit duhet të përgjigjen deri në fund, por 24 veta në masë sigurie. Kjo besoj është e mjaftueshme sa i përket asaj çfarë tha rektori dhe i gjithë shqetësimi është për të dhënë një mesazh për studentët e partnerët, ndërkohë që drejtësia do bëjë punën e vet, s’ka arsye për të bllokuar punën.