Me Slot në stol dhe me një Salah në versionin e tij më të mirë, Liverpool po zhvillon një sezon perfekt. Titulli në Angli duket një formalitet, më saktë çështje kohë, pasi të konkurrosh të kuqtë është shumë e vështirë, për momentin janë të shkëputur me 11 pikë nga vendi i dytë.
Një meritë të pa diskutuar për këtë ecuri ka sulmuesi egjiptian i cili edhe pse 32 vjeç ka numra të jashtëzakonshëm, 30 gola dhe 21 assiste në total, 25 gola vetëm në Premier League.
Salah është futur në vitin që i përfundon kontrata dhe të shumtë janë ekipet që kërkojnë të sigurojnë shërbimet e tij, por nuk përjashtohet mundësia që “faraoni” të rinovojë kontratën e tij aktuale, opsion që nuk e hodhi poshtë as trajneri Slot, edhe pse holandezi është i vetëdijshëm se ky rinovim do t’i kushtojë klubit miliona euro duke parë rendimentin dhe shifrat e Salah:
“Sa më mirë bën ai, aq më i kushtueshëm bëhet. Gjithsesi, për të gjithë është më mirë kështu. Kam përshtypjen se kjo nuk është një gjë e mirë vetëm për ata që do të paguajnë”, u shpreh Slot.
Deklarata e trajnerit të Liverpool pushtoi faqet e para të mediave angleze: “Çmimi i suksesit”, ishte një nga titujt më të lakuar.