Ballina Bota Valltare, statuja e artë dhe Elon Musk që shfrenohet, Trump zbulon vizionin...

Valltare, statuja e artë dhe Elon Musk që shfrenohet, Trump zbulon vizionin e guximshëm për Gazën

59
0

Në kulmin e debateve mbi planin e tij për të zhvendosur banorët e Gazës, Presidenti amerikan Donald Trump përmes një video të postuar në rrjetet sociale ka ofruar një vizion se si mund të duket plani i tij “Riviera e Lindjes së Mesme” për rindërtimin e Rripit të Gazës kur lufta midis Izraelit dhe Hamasit të ketë përfunduar.

“SHBA do të marrë Rripin e Gazës dhe ne do të bëjmë një punë të mirë me të”, deklaroi Trump në një konferencë për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në fillim të këtij muaji.

Natën e së martës vonë, Trump u kujdes ti tregonte botës një vështrim të parë se si do të duket ajo punë, duke postuar videon 35 sekonda në llogarinë e tij në Truth Social, teksa shkruan: “Gaza 2025: Çfarë vjen më pas?”.

Sipas videos, Gaza do të kthehet në një vendpushim ekzotik me fëmijë dhe të rritur që vrapojnë dhe luajnë përgjatë vijës bregdetare dhe hotele të bukura të ndërtuara mbi rrënoja.

Videoja, e cila duket se është krijuar duke përdorur AI, tregon Elon Musk duke shijuar plazhin dhe muzikën, ndërsa u hedh para para vizitorëve dhe fëmijëve.

Në një moment të çuditshëm, një grup kërcimtarësh me barkun jashtë, me mjekër, flokë të gjatë dhe tipare femërore performojnë në rërë ndërsa në sfond luhet një këngë me tekstin: “Donald po vjen për t’ju çliruar, duke sjellë dritën për të gjithë, jo më tunele, jo më frikë, Trump Gaza është më në fund këtu, e ardhmja e ndritshme, e artë e Trump Gazës, një dritë krejt e re, festë dhe valle, marrëveshja u krye, Trump Gaza numër një.”

Diku tjetër, një fëmijë shihet duke mbajtur një tullumbace të madhe, të artë me kokën e Trump. Më vonë, presidenti shihet duke shijuar shoqërinë e një kërcimtareje në një restorant dhe nga fundi, shihet sheshi i ndërtesës më të madhe të rajonit të rindërtuar, që e ka emërtuar: “TRUMP GAZA“.

Në qendër të zonës nuk mungon as një statujë gjigante, me ngjyrë të artë e presidentit.

Në fund të videos, Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu shfaqen të shtrirë në plazh, topless, duke shijuar koktejin që mbajnë në dorë.