Ballina Ekonomia Kriza në biznesin fason, Rama: Janë në vdekje klinike, qeveria por s’mund...

Kriza në biznesin fason, Rama: Janë në vdekje klinike, qeveria por s’mund të paguajë taksa për agoninë e tyre! Të adoptohen me tregun

96
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me krizën që ka përfshirë biznesin fason. Rama tha se dëmtimi i industrisë fason nuk po vjen nga rënia e euros, por se ky biznes duhet të përshtatet me tregun.

Rama shtoi se qeveria nuk mund të përdorë taksat për të zgjatur agoninë e një organizmi që nuk e mban dot, nuk e kthen dot më në jetë.

‘Po ju flas për një temë që kemi folur jo më larg se dje me Delinën dhe me Arbenin. Një temë e dhimbshme. Situata e industrisë fasone në Shqipëri. Por kjo mjafton t’i referoheni çfarë kemi thënë, Delina në radhë të parë kur drejtonte Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe unë në evenimente të caktuara, por edhe më parë se sa Delina të merrte drejtimin, për këtë ditë që do vinte.

Kjo ditë nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo! Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. E kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur, në atë industri ka marrë masat për t’u adaptuar.

Kush nuk e ka kuptuar apo kush nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë. Në këto kushte, t’i kërkosh qeverisë të të japë serume, është gabim. Pse? Sepse nuk ka serum që të shpëton dhe nga ana tjetër, qeveria nuk mund të përdorë taksat për të zgjatur agoninë e një organizmi që nuk e mban dot, nuk e kthen dot më në jetë. Është një vdekje klinike e sigurtë, por nuk është pa zgjidhje as për sipërmarrësit, as për personat. Zgjidhja është të adaptohesh! Të ndryshosh lojën! Të qasesh me qartësi dhe me forca të reja në një treg që është tjetër. Mjafton të shikosh ata që e kanë bërë këtë gjë, se fatmirësisht sot jemi në kushtet kur mund t’i lidhim fjalët me shembujt, pra nuk është diçka që e kemi ne të diskutuar teorikisht. Dhe nuk është as diçka që ne e kemi parë në vende të tjera dhe po themi hajdeni bëjeni dhe ju këtu. Jo! Është diçka që këtu ka aktorë të kësaj industrie që e kanë bërë dhe që janë sot konkurrues.’- tha Rama.

Fjalën kryeministri e mbajti në ‘Shtëpinë e Biznesit’ struktura më e re në shërbim të dialogut të institucionalizuar mes qeverisë dhe biznesit, e vendosur pranë Kryeministrisë, në njërin prej kubave të Piramidës, e cila çeli dyert për të mirëpritur sipërmarrësit në adresimin e problematikave të tyre, por edhe si pikëtakimi e përjavshme e sekretariateve teknike të Këshillit Ekonomik Kombëtar që do të ngrihen në vijim të punës.

“Këtu do të organizohen takime, do të ketë persona të posaçëm për të qëndruar këtu, për të mbledhur problematikat tuaja dhe për t’i adresuar ato nëpërmjet të gjithë strukturave shtetërore. Duhet ta shihni këtë shtëpi, si shtëpinë tuaj, ku mendimet të jepen në mënyrë informale, të thjeshtë, jo burokratike dhe të jetë kjo dera juaj për të zgjidhur problematikat që keni me institucionet shtetërore.” – iu drejtua të pranishmëve Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, në vizitën e zhvilluar në hapësirën e re, një ditë pas riaktivizimit të Këshillit Ekonomik Kombëtar.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se “të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu