E bujshme, por e vërtetë. Empoli turpëron Juven, i shkakton një eliminim të rëndë duke nxjerr “Zonjën e Vjetër” nga Kupa e Italisë. Për herë të parë në histori, ekipi toskan siguron një biletë për në fazën gjysmëfinale, një arritje e jashtëzakonshme që i jep shpresë edhe në Serie A, për të mbijetuar mes më të mirëve.
Në “Stadium”, Thiago Motta nuk kishte kursyer askënd, madje hodhi në fushë të gjithë “artilerinë” e rëndë, përfshi Vlahovic-Kolo Muani nga minuta e parë. Në fakt, Juve krijoi iluzionin se mund ta zgjidhte lehtë këtë takim teksa flirtuan me golin që në minutën e parë, por goditja e Nico Gonzales përfundoi mbi traversë.
Empoli iu kundërpërgjigj shpejt ku në minutën e 24-të Maleh me një super goditje nga distanca befasoi Perin duke dërguar topin në rrjetë, një gol shumë i bukur që solli heshtje në “Stadium”. Në mënyrë befasuese, Juve e kishte të vështirë të reagonte, madje ishin dhe me fat teksa në limitet e pjesës së parë goditja e Konate u përplas në shtyllën pingule.
Me fillimin e pjesës së dytë, Ismajli qëndroi në dhomat e zhveshjes pasi sapo ishte rikthyer nga një dëmtim, ndërsa Juve u përpoq të rikthehej në lojë me Dusan Vlahovic, por goditja e sulmuesit serb u grushtua në këndore. Për të rikthyer Juven në lojë mendoi Thuram, me francezin që realizoi një gol shumë të bukur duke barazuar shifrat në 1-1 në minutën e 66-të.
Në fundin e kohës së rregullt, fillimisht Empoli dhe më pas Juve kishin dy raste të pastra për të mbyllur kualifikimin, por pa sukses, duke bërë që fakti i këtij takimi të vendosej nga ruleta e penalltive.
Nga 11 metra distancë, Empoli u tregua perfekt teksa realizuan 4 nga 4 penallti, ndërsa për Juven gabuan Vlahovic dhe Yldiz, duke bërë që Empoli të shkruajë historinë duke u kualifikuar për në fazën gjysmëfinale aty ku do të përballen me Bologna-n.