Ballina Kulturë Protestë në “shtëpinë publike”

Protestë në “shtëpinë publike”

31
0

Nga Kalosh Celiku 

Imzot, më diferencuan neokomunistët

Dashuri, që bëjnë me Ebu Xhehlin.

E përhapin SIDËN në “Shtëpinë Publike”.

Përditë dezinfektohem nga Virusi

verë të kuqe pi te “Pazari Grave”.

Ballë për ballë Ebu Xhehlit me ferexhe

imam në mesin e kryehoxhallarëve.

Që, ngrejnë dolli, dehen me lëngje

Shejtanin e vrasin me eshtra.

E heqin vallen më shpallin të marrë

Ngase: E shava dje Pushtetin

e shaj sot, do ta shaj edhe Nesër!

Pasmesnate, kthehem në shtëpi

Rrospitë e Ebu Xhehlit me ferexhe:

dorë më dorë më hudhin mbi çatia

pak para agimit më dhunojnë mes librave…

(Shenja e Nisjes Oj Nanë)

Shenja e Nisjes

Nata pa Hënë.

Yjet tallen me zjarr

Qiellit i kërkoj fjalë.

Dita më bie me shuplakë.

Shenja e nisjes, oj Nanë!…

(Dritare kah Dielli)

Mesnatë.

Ylli bie shigjetë prapa maleve

Hëna në një lis është varë.

Poetin mbi vargje s’e merr gjumi

Nata e hapë dritaren kah Dielli…

(Rebelimi)

Sot s’jam këtu!

Më mbulon bari

Zëri s’më shkon për këngë.

Nesër, do ta thyej kitarën…

(Mesditë)

Dielli po lind një – tetë këmbë

Hija e gjatë – largë Dielli.

Hija një – dy – tetë këmbë

Dielli perëndon – afrohet Nata.

Mesditë, pse nuk është – mesditë?!

Ose, të lindë Dielli?!…

(Loti i Nanës)

Kitara kur qan, hap dritaren

Tokë, ku e fsheh lotin e Nanës?

Zog, ma këndo këngën!

Çafkë, mos ma prek vargun!

Tokë, ku e fsheh lotin e Nanës?!…

(Ankand te “Pazari Grave”)

Vjen, derisa unë rrokullisem lëmsh

me të Dashurën e Omar Khajamit

e shahem me librat horror.

Kot, para s’kam të të huazoj për bukë

Palaçot nderohen me shpërblime.

Asgjë s’kam, vetëm pagjumësi…

(Dardha Gorrice)

Çafka sot, ka hipur në Dardhën gorrice

Fruta ha, nusërohet në këtë kohë.

Baba, e vështirë qenka buka e ugareve

Vargjeve ende u vjen era ugarë:

Toka ka gjak ugari. Plagë.

Dardha gorrice plaket në mes të fushës

Çafka “patriote”, sot i del zot me këngë…

(Një natë me Miken)

Me telefon, më fton në Tavernë

Qyteti i vogël për strehim.

Unë, dhe Dy bocat me verë

mbytemi në shtratin e hardhisë.

Më mbulon natën me poezi:

shpirti im dehu – edhe unë jam verë!

Çoje dollinë, mbytu në këtë det

Nesër, ku ta di unë, a do të kesh etje…

(Thirrje në mesnatë)

Mjegullat e zeza

ecin nëpër qiell

do të bjerë shi.

Diellit ia kanë lidhur sytë

thirrni rrufetë!…

Konferencë kombëtare

Rastësisht, të takova në rrugë

të kishin dëbuar nga Partia.

Urdhëro: unë s’jam Uolt Uitmani i madh

as miku im, Mirko Gashi – bohem.

Unë jam Kalosh Çeliku – rebel

Dhe, me Ty do të pi verë.

Nëse të ka përzënë Nënë Partia

vogëlushe, Unë nuk të përzë…

Pagjumësi)

Qentë lehin gjithë natën

Çizme dëgjohen në rrugë.

Fëmijët s’i zë gjumi vonë

Unë, rojë e shtratit tonë…

(Vetëm Unë

të pi me verë)

Ky Qytet, është i çmendur

Mike oj! Të martuan me poezinë?!

E, më ndjekin mua si qentë

nga mëngjesi, në mëngjes.

Ky Qytet, do të di çdo gjë

nën cilën Urë kam bërë natë?!

Me cilën Mike, pres e përcjell trena

për Ty, me cilin çmendesh në shtrat.

Po, kurrë s’do të dinë ç’kam në gji

e mbi cilin varr, sonte bëra dashuri…

Vjeli nëse ke uri

Akrepat e kanë shkelur pasmesnatën

këmbët më ngatërrohen, mbamë Mike!

Jam, një qen endacak që ka të ftohtë.

Me dy boca verë në xhepa

Mikja më ngarkon në taxi.

Padashtas ia prek kumbullat.

Pëshpëritë: Vjeli nëse ke uri!…

(Dashuri mes prangave)

Për dashuri qemë të varfër

për një natë pa gjumë nën Urë:

për një Serenatë

për një aventurë…

Vërtet, është ky edhe një Mot i Madh

për ne të pagjumët, oj Mike!

Dashurinë e mbajmë gjallë në varr

mes plumbash e prangash me vite…

(Tri ditë

larg meje)

Tri ditë larg meje.

Tri ditë të kërkoj nëpër Qytet!

Ti fluturon mbi liqen

Në vendlindjen e Lasgush Poradecit.

Larg meje?!

Qyteti, i vdekur.

Mike, të pres me shekuj!..

(Dhuratë për ditëlindje)

E lodhur, e etshme për dashuri

m’ulet në prehër si flutur:

me një dëshirë…

E di, më thotë:

E dua një bebe

nga ti për ditëlindje

ta përkund në djep!

O Imzot!

Pse, s’më kërkoi

një tufë lule!

Ose, stoli ari?!…

(Magji)

Një muaj:

larg njerëzve, thellë në pyll,

mes ujqërve dua të jem përherë!

Se, Ujk jam. E, jo qen me zgjebe

që i vardiset një kocke në treg.

Ujk jam, oj Mike!

Sot zbres nga shpellat e “Çelëvjollcës”

me romanin më të ri: “Shtëpia publike”.

Gruaja më del para, i hap krahët

Mikja, më shkarkon para dere:

me një çantë libra, e dy boca verë.

– Motër, merre fute në shtëpi

armiqtë i kanë bërë magji…

(Shtatë orë mbyllur

në Tavernë)

Zagushi.

Muzikë e vitit njëmijenënqindeshtatdhjetedy

m’i kujton vitet e studimeve në Prishtinë.

Rrapin tim të vetmuar para „Bozhurit”.

Dhe, një dashuri…

Kamarieri i zi katran

Mikja trembet mos na vdes mbi tavolinë.

Azganja do të ikë në një shpellë

e ka lodhur jeta.

Civilizimi mes ferexheve…

E zgjas dorën në errësirë

O Imzot, ia preka gjinjtë…

(Minare për “ezanin

Vapa e ka mbyllur derën me reze

Terri nëpër dhomë e heq një valle.

Miken e kanë dhunuar fjalët.

Mëngjes. Mikja para mikrofonit

kërkon një minare ta thirrë “ezanin”!…

(Mos gërmo thellë)

Mos gërmo shumë thellë!

Se, do të hasësh në gur,

varre e eshtra!

Mos gërmo shumë thellë!

Se, do të hasësh në plagë,

do të shpërthejë vaji!

Mos gërmo shumë thellë

Se, do të mbytesh në Mua!…

(Dashuri e urrejtje)

Urrejtje, kam në shpirt

e pak dashuri:

Më dhimbset pështyma.

Vargje kam në shpirt

e pak urrejtje:

Më dhimbset Mikja Di.

(Pushtimi i Shkupit)

Kur qentë e pushtuan Shkupin

E, u strehuan te “Pazari Grave”.

Kockat dolën nëpër Qytet

u lëpinë nëpër “Bit-Pazar”.

Kur qentë e pushtuan Shkupin

Mikja Di, u vesh në të zeza…

(Unë s’kam kohë

të plakem)

Unë s’kam kohë të plakem

se, nuk më lë vera. Poezia.

Nuk më lë Mikja Di…

(Doruntinën e solla Unë)

Ditën me diell

thërret: Çohu nga varri!

Lakuriqët i sulen territ.

E shoh, Rrapin, verën

“Urën e Gurit”, dhe Tavernën.

Miken Di me një tufë lule

veshur në të zeza:

– Zgjohu shpirti im, mbaje Besën

premtimin për në “Baba Tomor”!…

(Mike s’kam tjetër Kalosh)

Mike, s’kam tjetër Kalosh

të shtrihet me Ty në shtrat.

Mike, s’kam tjetër Kalosh

pa raki rrushi. Dy shtama me verë…

(Zjarr – flakë

shpuzë e dritë)

Eci me Zonjën Vdekje, e kurrë në varr.

matanë bregut më mbeti Laura,

një barkë e gëlltiti liqeni plumb.

Vdisni yje se, më varën për kënge

pasardhësi i Naim Frashërit ndezi

zjarr me vargje.

Zemër,

pasardhësi i Naim Frashërit

ndezi shtratin e thatë…

(Xhelozi)

E gjatë rruga. Nata s’ka mëshirë

më mbytën xhindet, pse pi verë?!

Dorë më dorë më hudhin mbi çatia

Mëngjesin, ma shndërrojnë në arrati.

(Zgjimi i të vdekurve)

Një ditë mbi varre do të dalin të vdekurit

s’do të ketë kisha e xhamia!

Do të flenë qafë për qafe nën shtrojë me yje

do të lahen në lumë e dritë të Hënës.

Do të dashurojnë marrëzirisht.

Ngutuni se një ditë do të përmbytet Bota

Të vdekurit, do të kthehen nëpër shtëpia..

(Rrokullisje deri në mëngjes)

Udhë me rërë deri në Tyrbe

m’u dogjën këmbët, kam Etje:

me të vdekurit pi raki rrushi. Verë.

E rrokullisemi natën deri në mëngjes

mbi varrin e Baba Shehut:

për “ilaç” (barë, mjeksor)…

(Zgjimi im

athua është ëndërr)

Një varg të Khajamit lexoj për t’njëmitën herë

s’do lexoj më libra. S’do shkruaj poezi.

Unë, nuk jam poet.

Aspak e jashtëzakonshme Lindja, as Vdekja.

Rrugë e gjatë deri te poezia, e prapë:

vargu duhet të vjellë flakë

s’ka lumë pa dallgë.

Vdes për të lindur

Dua një varg, vetëm një varg!..

(Shenjat e Kiametit)

Urrejtja na i ka mbyllur sytë

Dexhalli, i tërheq me kërpesh përqafe.

Njerëzit, o Zot! I shoh pa kokë.

Dexhalli, i tërheq rrugës zvarrë

Në Ferr. Ose, Parajsë…

(Vargu im nuk

tremb Diellin)

Më zgjon nga gjumi

vargu im.

Gjithemonë në Lis

shtie rrufeja.

Gjarpëri le të digjet

flakë!

Kufomën time

le ta marrin mjegullat.

Vargu im

nuk e tremb Diellin…

(Qentë me zgjebe lehin

në poezitë e mia)

Qentë me zgjebe tremben – lehin pas porte

Natën vonë, kur dëgjojnë zgjimin e tyre.

Qentë me zgjebe, lehin pas porte: në poezitë e mia…

(Frikën s’e dua se

nuk është e Imja)

Heshtni, në dhomën time fle Poe. Dhe, Anabel Li!

Vargjet e mi, le t’i ëndrrojnë të Pagjumët

Do të vdes në shtratin e Lumit.

Frikën s’e dua, se: nuk është e Imja…

libri: LOJA E SYVE, Prishtinë – Shkup, 1971 – 1995).