Ballina Kronika Misteri i vrasjes së 20-vjeçarit/ I riu u gjet i pajetë në...

Misteri i vrasjes së 20-vjeçarit/ I riu u gjet i pajetë në oborrin e shtëpisë, policia në kërkim të autorëve

46
0

Shkodra tronditet sërish nga një krim i rëndë që është zbuluar pasditen e djeshme. Në oborrin e shtëpisë së tij është gjetur i ekzekutuar me armë zjarri një djalë vetëm 20 vjeç.

Ngjarja është shënuar në Guci të Re, në afërsi të Gurit të Zi, ku djali mësohet se kishte qenë i vetëm në shtëpi. Trupi i pajetë i Pavlinit është zbuluar nga xhaxhai i tij, Preka, i cili i ka thënë policisë se ishte bërë merak meqë nipi nuk po i hapte telefonin. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mes orës 14.00- 14.50, pasi ky është momenti kur xhaxhai ka nisur t‘i binte telefonit të tij.

Xhaxhai e ka gjetur nipin në një pellg gjaku dhe ka dyshuar se ai ishte vrarë me thikë dhe policia pasi ka marrë informacionin prej tij është nisur në drejtim të Gucisë. Kur është shkuar në vendin e krimit, është gjetur një gëzhojë dhe atëherë është treguar se djali ishte vrarë me armë zjarri. Nga të dhënat e para, policia dhe as familja nuk ka ndonjë dyshim, pasi nuk rezultojnë familje problematike, ndonëse djali herë pas here dilte në Dukagjin me bagëti.

Policia njoftoi dje se “rreth orës 14:50, në fshatin “Guci e Re”, është gjetur pa shenja jete shtetasi Pavlin Preka, rreth 20 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”. Grupi hetimor ende nuk ka një pistë hetimi, pasi motivet e ngjarjes janë të paqarta. Sipas të dhënave bëhet me dije se për t’u orientuar në një pistë konkrete ku do të fokusohen hetimet, e rëndësishme do të jetë dëshmia e familjarëve të afërt të viktimës.

I riu ka qenë i vetëm në banesë, ndërkohë bëhet me dije se i ati, e ëma dhe vëllai më i vogël do të ndihmojnë për të mësuar më shumë nga përditshmëria e Pavlinit, që policia nuk e ka të skeduar asnjëherë, atë dhe asnjë person të familjes së tij. Po ashtu do të merren në pyetje edhe banorë të zonës, ndërsa një tjetër shpresë për të zbardhur ngjarjen do të jetë telefoni i viktimës, i cili tashmë është në duart e ekspertëve.

Prekë Preka, xhaxhai i viktimës, i cili u përball i pari dhe i vetëm me vrasjen e nipit të tij ka fol për mediat lokale duke hedhur poshtë gjithçka që mund të hamendësohej si shkak për vrasjen. Ai ka thënë se familja e vëllait të tij nuk ka asnjë problem e aq më pak hasmëri. ‘Asnjë problem nuk ka pasur. Ai ka jetuar me babën dhe me vëllain e vet në Dukagjin. Kanë nja 15 vjet që kanë bërë shtëpinë.

Që në atë kohë ka jetuar herë në Dukagjin, herë këtu. Në Dukagjin ka do bagëti, punon pak tokë aty dhe ruajnë bagëtitë e tyre. Me probleme si tanë të tjerët, me halle. Nuk ka nevojë të bëjë apel, shteti duhet të marrë masat e veta’-ka thënë ai, ndërsa policia thotë se nga dëshmitë e para nuk është parë asnjë person i huaj apo i dyshimtë në fshat.