Në përkujtim të dy viteve nga tragjedia e përplasjes së dy trenave në Greqi, ku humbën jetën 57 persona, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka shprehur solidaritetin me familjet e viktimave dhe të mbijetuarit. Përmes një mesazhi publik, ai e cilësoi aksidentin si një moment që shkatërroi besimin e qytetarëve dhe shfaqi dështimet e shtetit, duke theksuar se qeveria ka një detyrë për të garantuar siguri dhe reforma në sektorin e transportit.
“Dy vite kanë kaluar nga nata e 28 shkurtit 2023, e cila la një shenjë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive me tragjedinë e Tempeve. Mendimet e të gjithëve janë me familjet e 57 viktimave, me të plagosurit, por edhe me ata që i mbijetuan këtij aksidenti, duke mbartur përgjithmonë brenda tyre plagën e kujtimit të tij.
Atë natë pamë fytyrën më të shëmtuar të vendit në pasqyrën kombëtare. Gabime fatale njerëzore u bashkuan me mangësi të rrënjosura prej kohësh në shtet, duke shkatërruar me dhunë çdo siguri. Asgjë nuk do të jetë më si më parë. Dhe pikërisht kjo tregon madhësinë e betejës që duhet të zhvillojmë për të mundur “shtetin e thellë” të së kaluarës.
Çdo burrë dhe grua greke merr pjesë në këtë zi, të bashkuar nën kërkesën e përbashkët për të vërtetën. Një shpagim moral që vetëm Drejtësia e pavarur mund t’ia ofrojë shoqërisë, larg shfrytëzimit politik të dhimbjes njerëzore. Por edhe me pjekurinë e një kombi që kërkon siguri, përgjegjësi dhe përparim.
Pikërisht për këtë arsye, shumica e qytetarëve, qofshin ata që protestojnë apo ata që nderojnë në heshtje kujtimin e viktimave të Tempeve, bien dakord për një gjë: një aksident që plagosi zemrën e tyre nuk duhet të kthehet në një armë për të goditur unitetin e brendshëm dhe rrugën e qëndrueshme të vendit drejt së ardhmes.
Një bindje që për qeverinë kthehet në një detyrë të rëndë: të ecë përpara me vendosmëri dhe shpejtësi drejt reformave që do të çojnë në trena modernë dhe të sigurt, në shërbime publike më efikase dhe në një përditshmëri të përmirësuar për të gjithë. Ky është edhe angazhimi ynë”, shkruan Mitsotakis.