Ballina Opinion “Pushteti i Thashethemeve” pa sy, pa veshë e pa fjalë, për vizitën...

“Pushteti i Thashethemeve” pa sy, pa veshë e pa fjalë, për vizitën e Bashës në Washington!

31
0

Nga Ermal Peci

I rikthehem shpeshherë “Pushtetit të Thashethemeve” si simbolikë e asaj se çfarë ndodh në median shqiptare, që flitet për gjithçka por të vërtetën mundohen ta mbajnë larg. “Pushteti i Thashethemeve” përbëhet nga tre faktorë kryesorë, të cilat janë politika, oligarkia dhe media, të cilat në shkëmbim të përfitimit ekonomik edhe mbajtjen e stanjacionit politik deformojnë opinionin publik, e fusin në kaos dhe i largohen gjithmonë e më shumë të vërtetës.

Jo vetëm shoqëria shqiptare por është një fenomen global që për shkak se jeta është bërë e shpejtë dhe e shtrenjtë, shoqëritë vuajnë nga amnezia sociale. Çfarë është amnezia sociale? Ajo nënkupton mbivendosjen e shumë ngjarjeve në opinionin publik dhe në mendjen e njeriut në mënyrë që ai të mos fokusojë se kush është e vërteta. Duke përfituar nga kjo ngarkesë psikologjike, atëhere klasa politike përfiton duke shtrembëruar realitetin por edhe duke të bërë pjesë në fabulën që ata krijojnë.

I tillë është edhe rasti në Shqipëri, “Pushteti i Thashethemeve”bën gjithçka që vetëm emri i Bashës mos të përmendet, por edhe po u përmend drejtuesit e programacioneve kanë si fokus ridikulizimin në mungesë të Bashës ose përfaqësuesve të tij në panelet e emisioneve. Në fakt ditët e fundit në çdo emision kemi parë persona me precedent kriminal, kemi parë të flitet se si Berisha do të shkojë në Washington, se si Veliaj nga burgu flet pa teklif e shigjeton prokurorin e SPAK, çfarë përrallash skemi dëgjuar me armiq imagjinarë dhe beteja epike por vetëm një gjë nuk kemi dëgjuar, pse vajti Lulzim Basha në Washington.

Pse askush në media nuk e artikulon nga gazetarët e pavarur dhe ata që janë përfaqësues të interesit publik, se si njeriu, i cili është po aq i sulmuar sa Altin Dumani nga klasa e vjetër politike ka takime në Washington dhe në Departamentin Amerikan të Shtetit. Si ka mundësi që politikani, i cili sulmohet nga mëngjesi në darkë me fake news, të cilave i është bashkuar e Berisha me çetën e tij njësoj si Rama, ka vizita zyrtare në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Si ka mundësi që edhe pse si një politikan tashmë pa vulën e PD-së nga pas Lulzim Basha i ka përsëri dyert e hapura në Washington, kurse këta të tjerët nuk takojnë dot as rojen e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Si ka mundësi që nga gjithë këto parti opozitare që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, vetëm Lulzim Basha ka akses për të pasur takime personale në nivel institucional.

Këto janë disa nga pyetjet që shtrohen edhe pse në fakt në këtë tymnajë mediatike që është ngritur me fake news duhet të kishin një përgjigje. Në fakt unë përgjigjen e kam por nuk më takon mua të flas, por unë ju pyes ju. Pse i tremb kaq shumë Lulzim Basha kur këta nuk lënë ditë, orë e minutë në media dhe në kafene pa e sharë e pa i vendosur epitetin si politikan i dobët.

Në fakt koha edhe historia është ilaçi më i mirë i të vërtetës, e siç kam shkruar një shkrim para disa kohësh për Bashën që e titulloja “E akuzojnë për gjumë por po i lë pa gjumë” rishfaqia përsëri në dyert e Washingtonit në një periudhë shumë të shkurtër për herë të dytë jo vetëm po i lë pa gjumë por tashmë po i fut dhe mankthe klasës së vjetër politike.