Ballina Ekonomia Malaj konfirmon Kapitalin/ Rivlerësimi i pronave shtyhet për Janar 2026

Malaj konfirmon Kapitalin/ Rivlerësimi i pronave shtyhet për Janar 2026

24
0

Ministri i Financave, Petrit Malaj ka pranuar zyrtarisht se rivlerësimi i pronave me taksë të zbutur është shtyrë për në vitin 2026. Pas muajit Mars pritet të nisë diskutimi me grupet e interesit për çmimet e reja të referencës së pronave, mbi bazën e të cilëve më pas do të zhvillohet edhe procesi i rivlerësimit të tyre. Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave Petrit Malaj në emisionin DATAROOM në SCAN, me gazetarin Kreshnik Kuçaj.

Ministri tha se duke filluar nga 1 janari i vitit 2026, të gjithë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që t’i kenë pronat të rivlerësuara me çmimet reale të tregut.

“Është e vërtetë, vitin e kaluar pati një iniciativë dhe një nismë për të bërë një rivlerësim të pronave, me një normë të reduktuar. Ministria e Financave gjykon që përpara sesa të vijojë me këtë proces, do duhej që të ripërcaktoheshim çmimet e referencës së pronave për të gjithë territorin shqiptar, përveç Tiranës e cila e ka të azhornuar përsa i përket çmimeve të referencës.

Është një proces që ne mendojmë që duhet të shkojnë paralelisht me njëri-tjetrin, në mënyrë që t’u japim mundësi të gjithë qytetarëve shqiptarë, në të gjithë Republikën e Shqipërisë, që të kenë mundësi të bëjnë rivlerësimin e pronës në vlerën e tregut dhe paralelisht të paguajnë një normë të reduktuar tatimore për vlerën që do t’u rivlerësohet prona.

Nëse do të bënim njërin proces, dhe pastaj do të bënim procesin tjetër më mbrapa, do t’i binte që këta që bënin rivlerësimin e pronave pas procesit të parë, do duhet të paguanin 15%, në vend të normës së reduktuar që përcaktohet nga Ministria e Financave.

Ne po vijojmë me grupet e punës. Kemi një draft paraprak përsa i përket çmimeve të referencës për pronat në të gjithë territorin e Shqipërisë. Është duke u punuar nga grupi i punës. Ne besojmë se deri nga fundi i marsit 2025 do të kemi një raport të plotë, do të vijohet me konsultime me grupet e interesit përsa i përket çmimeve që do të përcaktohen nga ky grup pune.

Më pas do të vijohet me miratimin e paketës ligjore në mënyrë që të hedhim të dyja nismat paralelisht në zbatim. Ne mendojmë që brenda vitit 2025 do ta mbyllim të gjithë procesin në mënyrë që duke filluar nga 1 janari 2026, të gjithë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që t’i kenë pronat e rivlerësuara me çmimet aktuale të tregut” tha Malaj.

Lajmi për shtyrjen e ligjit për rivlerësimin e pronave u publikua nga Kapitali në tetor të vitit të kaluar. (Lexo këtu)

Kjo shtyrje futi në kolaps tregun e pasurive të patundshme duke bllokuar për disa muaj me radhë transaksionet në këtë treg.