Në institucionet e arsimit të lartë janë rihapur doktoraturat, pas bllokimit gati prej 1 dekade të këtij cikli të tretë studimesh.
Që prej 2022 janë 528 të regjistruar pranë Universitetit të Tiranës që duan të thellohen në kërkimin shkencor në kohëzgjatje studimi nga 3 deri në 5 vite.
Çlirim Duro, drejtori i Kurrikulave dhe Sigurisë së Cilësisë tha në një intervistë televizive tha se “për secilin fakultet ne kemi një program doktorature, përshembull në Fakultetin e Drejtësisë me 3 nënfusha; e drejtë civile, e drejtë publike dhe e drejtë penale. Në Fakultetin e Shkencave dhe të Ekonomisë kemi 8-9 fusha”.
“Në vitin e parë kemi pasur 226 studentë, në 2022-2023 152 studentë dhe 2023-2024 kemi rreth 150 studentë”, tha Duro.
Sipas tij, kriteret janë forcuar dhe janë kufizuar kapacitetet e pranimit të studentëve doktorantë.
“Më parë një profesor kishte 10-11 studentë, ndërsa ligji aktual parashikon që një profesor merr deri në 3 udhëheqje, një profesor i asociiuar deri në 2 udhëheqje, pa mbyllur këto pedagogu nuk merr dot një tjetër student”, sqaroi Duro.
Rezultatet e aplikantëve nuk janë vetëm kriter i përzgjedhjes, por rëndësi ka edhe tematika e përzgjedhjes.
“Një komponent është nota, fokusi që ka departamenti janë fushat e përcaktuara me BE-, kërkesat e Shqipërisë për t’u hapur kapitujt e kështu me radhë. Do të shikojmë doktoratura edhe në këtë fushë që i vlejnë edhe tregut. Doktoratura nuk është më një çështje si më parë, individuale, por është një kërkim shkencor që i shërben shoqërisë”, tha Duro.
Në këto vite punimet e doktorantëve kanë qenë më konkrete, përshtatur në përputhje me nevojat që ka ekonomia dhe shoqëria.