Qëllimi i reformës në drejtësi ishte përzgjedhja e 20 prokurorëve më të mirë dhe 60 hetuesve me nivelin më të lartë të aftësive profesionale dhe morale. Një prej kushteve ishte edhe përvoja më shumë se 1-vjeçare pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhej me qëllimin e BKH-së.
Emërimi i 30 hetuesve të parë të BKH-së u bë në vitin 2021. Nga një sondazh i përciptë i emrave “fitues” të vitit 2021, zbulohet një skandal për të cilin askush nuk ka folur më parë. Shumë hetues “specialë” vinin nga një eksperiencë pothuajse zero, pa asnjë lidhje me zbatimin e ligjit dhe misionin apo qëllimin e BKH-së. Sekretare gjykatash, punonjës të administratës, persona të punësuar në aviacionin civil, ATP etj., mbushën radhët e 30 të parëve.
I tillë është dhe rasti i Samet Gurgurit, një emër që është bërë i njohur, pasi përmendet në çështjen e Monika Kryemadhit, Ilir Beqajt dhe, më e rëndësishmja, në çështjen “Veliaj”.
Sameti është hetuesi që dërgoi mesazhin e famshëm të “ditës së shtunë” në telefonin e Ajola Xoxës, mesazh që bëri Erion Veliajn të reagonte duke e akuzuar se i kishte shqetësuar gruan në kohë të papërshtatshme.
Samet Gurguri, me arsim juridik, të vetmen eksperiencë që e lidh me misionin e BKH-së ka punën disa vjeçare si “jurist” në Spitalin e Fierit. I licencuar si avokat në 2020, 25-vjeçari, hetuesi i ardhshëm i BKH-së hapi në mes të gushtit 2020 një NIPT avokati me adresë në Libofshë, të cilin e mbylli pas disa muajsh, kur fitoi të drejtën për të qenë hetues i BKH-së.
Rregullorja Nr. 36, Datë 24.09.2020 për përzgjedhjen dhe rekrutimin e Hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, u shkel me të dyja këmbët, si për rastin “Gurguri” ashtu dhe për të paktën 15 të tjerë. Por rasti i rekrutimit të Samet Gurgurit nxjerr në pah lidhjet dhe ndërhyrjet e forta politike nga PD.
“Sameti dhe vëllezërit e tij kanë qenë gjithmonë aktivistë të PD-së”, tregon një banor nga fshati Vanaj i komunës Libofshë.
Vetë hetuesi shqiptar shpreh hapur urrejtjen ndaj të majtëve. Kjo tregohet në një koment replikues ndaj postimit publik të bërë nga ish-presidenti Ilir Meta, në përvjetorin përkujtimor të ngjarjeve të Luftës së Pezës.
Ironik është fakti se, përpara antikomunistit – Samet Gurguri, dy herë në muaj paraqitet ish-bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi. Përpara tavolinës së hetues Sametit nga Libofsha, duhet të kalojnë edhe Ilir Beqja apo Ajola Xoxe.
Standardet e etikës dhe sjelljes së prokurorit Ols Dado në sallën e gjyqit u shkelën me të dyja këmbët dhe duart. Rregullorja që ka nxjerrë KLP për paanshmërinë e SPAK-ut është grisur publikisht në këtë rast.
Në ndihmë të prokurorëve ka ardhur dhe hetuesi “Gurguri”, që nuk e pati asnjë problem të zbatojë urdhrin: “Merre atë… në telefon”. Samet Gurguri u caktua të bëjë hetime të thella ndaj “kundërshtarëve politik të majtë”. Një burim nga BKH, tregon me humor “Më i paanshëm do ishte Belindi vetë se sa Sameti ndaj Veliajt…”.
Sot një prokuror i SPAK-ut paguhet rreth 6 mijë euro në muaj. Një hetues i SPAK-ut merr 60% të kësaj shume. Qeveria miratoi edhe 40 hetues shtesë.
A ka ardhur koha t’i njohim cilët janë?
-A janë hetuesit dhe prokurorët e SPAK të denjë për rrogat që ua japim ne, populli i Shqipërisë?/shqiptarja.com