Ballina Aktualitet Elbasani në kolaps për depozitimin e mbetjeve, mbledhja e Këshillit Bashkiak shoqërohet...

Elbasani në kolaps për depozitimin e mbetjeve, mbledhja e Këshillit Bashkiak shoqërohet me tensione

34
0

Këshilli Bashkiak i Elbasanit nuk e miratoi projektvendimin e paraqitur nga bashkia për ndërtimin e një landfilli të ri, pas ezaurimit të sipërfaqes në landfillin aktual pranë inceneratorit të qytetit.

Mbledhja u shoqërua me debate të ashpra, ku këshilltarët demokratë akuzuan bashkinë se ka një kontratë ekzistuese për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve, pavarësisht se impianti është jashtë funksionit.

Nga ana tjetër, këshilltarët e PS-së kërkuan që kontrata me kompaninë Eco-Elb të bëhet më e detajuar para se të hidhet në votim.

Nënkryetari i Bashkisë, Asim Sula, deklaroi se sugjerimet do të merren parasysh dhe kontrata do të rikthehet në mbledhjen e ardhshme të këshillit.

Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetime ndaj kompanisë Eco-Elb për veprat penale “Shkatërrim i Pronës me Zjarr” dhe “Ndotje e Ajrit”, lidhur me zjarrin e rënë në landfillin e saj në korrik 2023. Prokurori Xheljan Seferi ka zgjeruar hetimet edhe për shpërdorim detyre ndaj kompanisë publike dhe të tjera shkelje të mundshme në menaxhimin e mbetjeve.