Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka denoncuar përmes një postimi në Facebook skemën e rritjes së pagave për mësuesit, duke e cilësuar atë si një mashtrim të qeverisë.
“Rritjes së pagave të mësuesve i doli boja!”, shkruan Xhixho, duke theksuar se të paktën 6500 mësues në të gjithë vendin po paguhen më pak se kolegët e tyre, për shkak të një Vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM), i cili sipas saj penalizon mësuesit e ciklit fillor.
Sipas deputetes, jo vetëm që paga nuk u është rritur, por për shumë mësues është ulur me 10 mijë lekë të reja, ndërsa përfituesit e vërtetë të kësaj skeme kanë qenë drejtuesit e shkollave dhe jo mësuesit e thjeshtë. Ajo shtoi se shumë prej këtyre mësuesve duhet të udhëtojnë çdo ditë kilometra të tëra për të arritur te nxënësit e tyre.
Në prag të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Xhixho e cilësoi këtë si një dhuratë fyese nga qeveria, që sipas saj, ka shpërfillur gjithmonë arsimin dhe nuk ka marrë parasysh as propozimet e Partisë së Lirisë për rritjen e buxhetit për arsimin dhe pagat e mësuesve.
“Vetëm duke e bërë arsimin prioritet kombëtar, përmes buxhetimit dhe politikave incentivuese, mund të frenojmë shpopullimin dhe boshatisjen e shkollave e universiteteve,” theksoi deputetja.