Ballina Politika Taulanda Jupi: Shqiptarët nuk u binden më të korruptuarve, drejtësia nuk ndalet

Taulanda Jupi: Shqiptarët nuk u binden më të korruptuarve, drejtësia nuk ndalet

14
0

Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik për zgjedhjet e 11 majit, Taulanda Jupi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike dhe arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se shqiptarët nuk do të mashtrohen më nga politikanët e korruptuar të tranzicionit.

Postimi i Jupit:

Shqiptarët nuk u binden më, të korruptuarve – drejtësia nuk ndalet!

Kur e vërteta del në dritë, propaganda dështon. Pas arrestimit të Erion Veliajt, shumica dërrmuese e shqiptarëve—socialistë, demokratë dhe qytetarë pa parti—kanë treguar qartë se nuk u binden më udhëheqësve të korruptuar të tranzicionit. Ata e dinë se drejtësia e vërtetë nuk ka ngjyrë politike dhe nuk ndalet për askënd!

Besimi tek SPAK-u është më i lartë se kurrë, duke tejkaluar edhe institucionet ndërkombëtare më të vlerësuara nga shqiptarët. Vlerësimi i qytetarëve për punën e SPAK është rritur nga 60% në 71% sepse qytetarët e ndershëm e shohin më në fund dritën në fund të tunelit të korrupsionit që i ka mbajtur peng për dekada.

Ata që kanë abuzuar me pushtetin po e ndjejnë fundin e tyre dhe janë në panik. Për këtë arsye, po bëjnë gjithçka për të shpëtuar veten—duke sulmuar SPAK-un dhe duke u përpjekur të mbrojnë njëri-tjetrin.

Por shqiptarët nuk do të mashtrohen më. Më 11 maj, ata do të zgjedhin të ardhmen dhe jo të shkuarën. Do të votojnë për të mbështetur një drejtësi të pavarur, jo për t’i shpëtuar politikanët e vjetër nga burgu.

Drejtësia ka nisur rrugën e saj dhe nuk do të ndalet. Shqipëria nuk do të kthehet më pas! Shqipëria meriton më shumë!