Ballina Kosovë Vizita e Sekretarit të NATO-s në Kosovë e rastësishme apo e qëllimshme?

Vizita e Sekretarit të NATO-s në Kosovë e rastësishme apo e qëllimshme?

23
0

Sekretari i Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, pritet ta vizitojë Kosovën këtë muaj, saktësisht më 11 mars.

Kjo u bë e ditur edhe nga presidentja, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook, por pa treguar datën e vizitës.

Tëvë1 ka dërguar pyetje në Presidencë por edhe Ministrisë së Mbrojtjes, për qëllimin e kësaj vizite, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati thotë se ardhja e tij në Kosovë ka të bëjë edhe me sigurinë në pjesën veriore të vendit, por edhe kërcënimet nga Serbia.

“Situata në Republikën Sërpska në Republikën e Bosnjë e Hercegovinës ku presidenti Dodik është duke i marrë disa hapa për shkëputje nga entiteti boshnjako-kroat dhe situata po merr një kahje shumë më të rrezikshme që ka qenë deri më tani”, tha Kastrati.

Sipas tij, nuk pritet të ketë efekt pozitiv në procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë sigurie, pasi që kjo varet nga rrethanat politike.

“Kisha bërë një mesazh shumë të qartë dhe një rekomandim të Qeveria e Kosovës që kursi i politikës së jashtme, diplomacia kosovare do duhej të jetë shumë më efektive, shumë më e angazhuar sesa ka qenë viteve të fundit që të përafrohet me shtetet e NATO-s, të bën partneritete bilaterale edhe pse kjo se pengon edhe pse s jemi në NATO dhe ta zhvillojë Forcën e Sigurisë së Kosovës sa më shumë që është e mundur në aspektin operativ”, tha ai.

E koloneli ushtarak në pension, Hysen Gecaj vlerëson se kjo vizitë nuk është e rastësishme, sepse Kosova bashkë me Bosnjë e Hercegovinën mund të jenë caqe të agresioneve të mundshme.

“Si dy pika neuralgjike të ndjeshme ku Rusia mundet me ndiku, me shkaktu trazira mundet me shkaktu telashe deri në atë nivelin saqë vëmendja e NATO-s të tërhiqet kah ky regjion dhe të pakësohet mbështetja në Ukrainë. Këtë e kemi potencuar edhe në të kaluarën, mirëpo tani me ardhjen e Trump në Presidencën e SHBA-ve ky shqetësim është edhe më i madh edhe më i dukshëm”, tha Gecaj.

Kjo është vizita e parë e Ruttes në Kosovë, si Sekretar i NATO-së.