Sindikata e punonjësve të shërbimit publik “Verdi” ka thirrur një grevë njëditore të hënën, e cila pritet të paralizojë trafikun në 11 aeroporte gjermane. Greva do të nisë që në mesnatën e së dielës dhe pritet të ndikojë në aeroportet kryesore si Hamburg, Stuttgart, Këln/Bon, Düsseldorf, Dortmund, Hanover, Bremen, Leipzig, si dhe në dy aeroportet më të mëdha të vendit, Frankfurt dhe Mynih.
Kjo lëvizje vjen si pjesë e presionit që sindikata po bën ndaj punëdhënësve për rritjen e pagave. “Verdi” kërkon një rritje page prej 8% ose të paktën 350 euro më shumë në muaj, si dhe tre ditë pushimi shtesë.
Gjermania është përfshirë nga një valë grevash javët e fundit, përpara raundit të tretë të negociatave midis sindikatave dhe autoriteteve federale për një marrëveshje kolektive që prek rreth 2.5 milionë punonjës të sektorit publik.