Gjykata e Lartë ka shtyrë shqyrtimin e rekursit të dorëzuar nga Arbër Veliaj dhe Ajola Xoxa, të cilët kundërshtojnë kontrollet e ushtruara nga SPAK në banesat dhe bizneset e tyre më 6 dhjetor.
Këto kontrolle u kryen me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shtyrja erdhi pasi një nga gjyqtarët e trupës gjykuese kërkoi të tërhiqej për shkak të papajtueshmërisë.
Trupa përbëhej nga Ilir Panda si relator dhe Albana Boksi e Medi Boci si anëtarë. Seanca ishte parashikuar për 6 mars, por do të caktohet një datë e re për shqyrtimin e çështjes.
Ndërkohë, më 11 mars, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pritet të dalë para Gjykatës së Posaçme të Apelit për të kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi, ndërsa vendimi i parë u dha nga gjyqtari Erjon Bani.
Veliaj ndodhet në paraburgim si pjesë e një hetimi të SPAK mbi akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre.