Ballina Politika Zbardhen detaje nga takimi i Ramës, nga porositë për diasporën te slogani...

Zbardhen detaje nga takimi i Ramës, nga porositë për diasporën te slogani i fushatës: Me ne në BE, me ata në kënetë!

56
0

Nisi në orën 13:00 të mesditës dhe përfundoi në 19:55. Për 7 orë, kryeministri Edi Rama mblodhi në Pallatin e Brigadave, ministrat e qeverisë dhe drejtuesit politik të PS në qarqe.

Takimi ishte hermetik, me informacion tepër të kufizuar edhe për mediat, por gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi ka arritur të mësojë se aty është folur për gjithçka, duke nisur nga investimet te prioritetet dhe qasja e socialistëve në fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 Majit.

Risia për këtë fushatë është se socialistët do të ndahen dhe do të lëvizin edhe jashtë vendit për të organizuar takime elektorale. A2 CNN mëson se fushata do të përqendrohet kryesisht në Greqi dhe në Itali, nga ku vjen edhe numri më i madh i emigrantëve që janë regjistruar për të votuar, me rreth 100 mijë.

Rama dhe drejtuesit politik të PS do të jenë të pranishëm në takimet me diasporën për të kërkuar votën.

Sakaq, mësohet po ashtu se raportimi i ministrave në takimin e djeshëm dhe të sotëm ka qenë për atë çfarë do të premtojnë gjatë fushatës.

“Programin elektoral të PS, Rama e ka bërë gati prej kohësh, është i rakorduar mes punës qeveritare dhe punës së pushtetit lokal, ku tashmë do të jenë një ekip që synon mandatin e katërt”, raportoi Beleshi.

Ndërkohë slogani i mundshëm i PS në këto zgjedhje pritet të jetë, “Me ne në BE, me ata në kënetë?”. Kjo pasi, integrimi në Bashkimin Europian është karta e PS sa i përket objektivit kryesor në këtë fushatë.