Ballina Kulturë Pesëdhjet mësues, po pesëdhjetë klasa ku janë?

Pesëdhjet mësues, po pesëdhjetë klasa ku janë?

27
0

Nga Abdurahim Ashiku

Kryeministri Rama në panairin e organizuar në Athinë për punën deklaroi se 50 mësues në Greqi do të paguhen me pagë shtetërore për mësimin e gjuhës shqipe në Greqi.

Jam pranë tij.

Nuk është hera e parë që flitet për pagesë të mësuesve vullnetarë (tash mësues zyrtarë) në Greqi.

Kohë e afërme.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në fillim të vitit të kaluar  ftoi të gjithë mësuesit në që të paraqitnin një CV për jetën e tyre si mësimdhënës në Shqipëri dhe në Greqi.

Nuk u dha ndonjë njoftim se sa aplikuan dhe sa të përkushtuar ishin në misionin e veçantë të mësimdhënësit në Greqi.

Mësuesit vullnetarë në Greqi kanë tashmë një përvojë prej një çerek shekulli (me nismë 7 marsin 2001) për guximin dhe trimërinë e tyre për shkollimin e fëmijëve shqip.

Historinë e punës dhe përkushtimit vullnetar ata e kanë gdhendur në katër libra me më se dy mijë faqe me mbi 700 fotografi me nxënësit e tyre në podrume, steka emigrantësh, në natyrë por edhe në ndonjë klasë huajtur nga bashkiakë përparimtarë. E kanë gdhendur edhe në një filmi dokumentar ku në qendër është një mësuese vullnetare në ishullin e Tinosit  e cila  pasi u jepte mësim 72 nxënësve të ndarë në dy turne të shtunën dhe të dielën, merrte tragetin dhe pas dy orësh udhëtim u jepte mësim 20 fëmijëve të ishullit të Sirosit.

Historia është e shkruar, ani se Ministria e Arsimit dhe kryeministria e kanë historinë e plotë në bibliotekën e tyre zyrtare.

Mund të them si dëshmitar okular, me penë dhe aparat fotografik në dorë, në një hapësirë të gjerë në stere dhe në ishuj, në qytete të mëdhenj si Athina, Selaniku, Patra, Volosi… në fshatra të largët me 200 banorë si Saranti i Thivës, e të tjerë kam jetuar përkushtimin maksimal të mësueseve dhe gëzimin pa kufi të fëmijëve kur shkruanin, lexonin dhe këndonin shqip.

Kam jetuar edhe shpirtin e një arvanitasi plak 104 vjeç që bashkë me të birin dhe nipin flisnin me kokën lart në shqipen e bukur trashëgim shekullor nga brezi në brez.

Kam pa si në radiografi shpirtin e një mësuesi tek më fliste për profesionin e tij me një dashuri që  më vjen në kufi të imagjinatës…

“Gjithmonë kam pas dëshirë të arrij këtë ditë. Gjithmonë e kam pas brenda vetes. Profesioni i mësuesit më ka pas pëlqyer shumë. Të them të drejtën kur u larguam ato vite, flasim për vitin 1997, unë e quaj si një punë që nuk e çuam në fund, një punë që e lamë përgjysmë. Që të jem i sinqertë, mbase kjo është ajo forca shtytëse më e madhe që më detyron, që më bren se kam lënë diçka pa bërë nga ajo që mundja të bëja.

Nuk flasim vetëm për ëndrra. Flasim këtu se kemi detyrime.

Është ëndërr, por kemi edhe detyrime. Kemi detyrime ndaj Atdheut, në qoftë se do të themi këtë fjalë që sa vjen e nuk po dëgjohet më.

Kemi detyrime ndaj atij mjedisi që na përgatiti ne për mësues, që të luanim një rol që duhet të luanim, por siç e thashë e lamë në gjysmë.

Shtoj edhe ndaj kërkesës që njeriu ka ndaj vetes. Ajo bile duhet të jetë kërkesa më e lartë: Çfarë kërkesash ke ti ndaj vetes?

Këtë e bëj për të shlyer diçka që e kam lënë në gjysmë dhe në rast se do t’ia arrij qëllimit, siç duhet të them sinqerisht, do të ndjehem i lumtur.

Është një ëndërr për mua sikur këta të arrijnë të lexojnë dhe të shkruajnë në atë shkallë që dua unë…” (5 maj 2007)

Kam ndenjtë tetë orë në këmbë në një sallë gjyqi, në atë farsë që unë e quajta (dhe me dhimbje vazhdoj ta quaj “Gjyqi i gjuhës shqipe të Athinë”.

Kisha shkruar në një faqe gazete shqiptare një reportazh me titull “Abetarja çel si lule në shkollën greke të Gravës”.

Kisha shkruar  për nismën  e drejtoreshës Protonotario që krahas klasës së mësimit të gjuhës arabe nga nxënësit mërgimtarë hapi edhe një klasë të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarë shqiptarë. Madje ajo hapi edhe një klasë për tu mësuar vetë greqishten të prindërve të fëmijëve shqiptarë.

Kisha shkruar edhe për mësuesen Karkallo që u mësonte fëmijëve gjuhën e bukur shqipe. Kisha bërë disa fotografi.

Disa muaj më vonë mësova se klasa e gjuhës shqipe (jo e gjuhës arabe) jo thjesht ishte mbyllur por drejtoresha greke dhe mësuesja shqiptare ishin proceduar për tu burgosur. Drejtoresha ishte pushuar nga puna.

Në gjyq, për të mbrojtur drejtoreshën dhe mësuesen shqiptare kishte ardhur Avokati i Popullit Grek

Tetë orë në gjykatë pashë se si jargavitej denoncuesi, si deklaronte që e detyruan ta bënte dhe si i kërkonte falje drejtoreshës greke dhe mësueses shqiptare.

Gjyqi në detaje është përshkruar në pamfletin “Dëshmitar në gjyqin e gjuhës shqipe”.

Në gjyq, me njoftimin tim, ishte i pranishëm edhe një nëpunës i Ambasadës Shqiptare.

Gjyqi pati jehonë të jashtëzakonshme si në shtypin vendas po ashtu edhe ndërkombëtar shoqëruar me komente të gjera e përkrahje të gjithanshme. Sikur përkrahja publike përmbledhur në Grava.com të përkthehej dhe të botohej njëmijë faqe libër nuk do ti nxinin.

Më erdhi keq që as zyrtarisht, as privatisht nuk pati as dy rreshta përkrahje nga shoqata e tubime shqiptare në Greqi dhe më gjerë, as nga ambasada, as nga shteti shqiptar.

Të nesërmen e gjyqit hapa kompjuterin në  adresë të shkollës 132 të Gravës. Ministrja e Arsimit dhe e  Besimeve Fetare Anna Dhiamantopulo deklaronte:

Unë jam shumë e kënaqur. Kjo është një çështje e rëndësishme, çështje që e kam pasur nga fillimi të qartë dhe kam shprehur mbështetjen time. Kthimi i Stella Protonotarios, një MËSUESE me germa kapitale, është më aktuale se kurrë, kjo e lidhur edhe me debatin mbi integrimin e fëmijëve të emigrantëve në shoqërinë greke si një nga prioritetet e qeverisë. Roli i mësuesit në këtë proces është katalitik dhe shteti është tani pranë tij.

Gjykata e Athinës i dha pafajësi drejtoreshës së shkollës Protonotario dhe mësueses Karkallo, i dha hapësirë ligjore mësimit të gjuhës shqipe në Greqi dhe posaçërisht në shkollat greke.

Dora Bakojani, asokohe kryetare e Bashkisë së Athinës pat deklaruar:

“Askush nuk ju ndalon të hapni shkolla shqiptare në Greqi.

Duhet që vetë shteti juaj të ketë një interes në këtë drejtim.

Ne ju ndihmojmë me ambientet, ndërsa ju duhet të siguroni librat dhe mësuesit”.

Një vendim gjykate, i formës së prerë, jo thjesht i jepte pafajësi drejtoresh së shkollës greke dhe mësuese shqiptare por LEGALIZONTE GJUHËN SHQIPE NË GREQI.

Pas këtij momenti, me vendimin e gjykatës në dorë duhet të ishte lidhur marrëveshje në mes të shtetit shqiptar, në mes të ministrisë së arsimit dhe besimeve të Greqisë dhe ministrisë së arsimit dhe sporteve të Shqipërisë për hapjen e dyerve të shkollave greke për mësimin e gjuhës shqipe.

Mund të shkruaj gjatë e thellë për mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi. Në kopertinën e librit  “Shkolla shqipe e Selanikut” janë ekspozuar portretet e 21 mësueseve që u mësonin gjuhën shqipe fëmijëve në Selanik dhe Janica para 11 vjetësh ndërsa në brendësi, faqe pas faqeje shpirti arsimdashës, poetik i mësueseve të palodhura që nga nismëtarja Mimoza Dako, mësuesi i parë i orës së parë Dashmir Zaçe dhe të tjerë.

Shkolla shqiptare e Athinës arriti të mbledhë në klasa deri 150 nxënës…

Po kështu “Porta”, Patra, Peloponezi, Larisa…

Në Greqi ka një portret të gjerë sa nuk e gjen në asnjë vend të botës mërgimtare shqiptare.

Në verë të viti 2007, në seminarin e parë mbarë shqiptar organizuar nga Shqipëria dhe Kosova nuk kishte asnjë mësues nga Italia, Gjermani, Franca, Anglia etj. që kishte një klasë me “pesë” nxënës që mësonin ta shkruanin, lexonin e këndonin gjuhën e bukur shqipe.

Shkolla shqipe në Greqi, mësuesit vullnetar në Greqi që për një çerek shekulli kanë punuar si askush në ditët tona për shkollimin shqip të fëmijëve, vullnetarisht, pa asnjë shpërblim, është momenti që të vlerësohen si vlerë e jashtëzakonshme, vlerësim moral me një LIBËR TË ARTË NDERI me emër e mbiemër, me biografi profesionale, pse jo edhe me një monument në qendër të Tiranës., pse jo: edhe me vlerësim material, më e pakta me pension të posaçëm.

Shkolla shqipe në Greqi, e më gjerë ajo në emigracion, që të jetojë e lulëzojë ka nevojë për një ligj kuvendar, një ligj ku askush, as ministri e as kryeministri mos luajnë me të.

Mund të shkruaj edhe më shumë për shkollën shqipe në emigracion, shkollë që ka qenë deri sot “Kurs për mësimin e gjuhës shqipe” e që duhet të bëhet SHKOLLË E GJUHËS SHQIPE me germa kapitale. Shkollë me klasa, shkollë me mjete mësimore bashkëkohore, shkollë me mësues profesionistë, shkollë me tërë ngjyrat e saj.

Shteti, nga taksapaguesit e qytetarëve shqiptarë (edhe të mërgimtarëve që përcjellin rreth një miliard euro nëpërmjet sistemit zyrtar në vit në Shqipëri) duhet, në bazë të Kushtetutës të paguajë shkollimin shqip të emigrantëve kudo që ata jetojnë e punojnë.

E përshëndes kryeministrin Rama për sihariqin që dha të dielën 2 mars  për PESËDHJETË mësues për tu mësuar fëmijëve gjuhën shqipe në Greqi. Është një ëndërr imja si gazetar që u kam qëndruar pranë në këtë një çerek shekulli mësuesve dhe nxënësve por, nga ato që kam parë dhe jetuar, e këshilloj që po qe se shteti grek siç edhe ka “premtuar” nuk i hap klasat e shkollave atëherë të hap një llogari shtetërore për të paguar qiratë për  “PESËDHJETË KLASA”.

Përndryshe nisma “PESËDHJETË MËSUES” do të ngelet një premtim elektoral.

Sot është 7 MARS, 7 Marsi i të parës shkollë shqipe në Korçë. 7 Marsi i  të parës shkollë shqipe në Greqi.

GËZUAR TË GJITHË MËSUESËVE!

GËZUAR MËSUESVE VULLNETARË TË SHKOLLËS SHQIPE NË GREQI!