Ballina Opinion Zotin e zëvendëson vetëm një qenie, nëna!

Zotin e zëvendëson vetëm një qenie, nëna!

23
0

Nga Denis Dyrnjaja

Kush thotē se zoti nuk ekziston gabon. Zoti në tokë është nëna. E di që klerikëve dhe besimtarëve ndoshta do t’iu duket si herezi kjo që po them, se zoti është nëna, sepse zoti është i pazëvendësueshëm dhe se fuqia e tij është e mbinatyrshme dhe është gabim i madh të bësh këtë krahasim, atashim apo zëvendësim. Por ndaluni pak dhe kujtoni një çast çfarë shprehjeje iu del nga shpirti kur keni shqetësime, gëzime apo hidhërime.

Të gjithë në mënyrë të natyrshme themi: ohhh nëna ime. Kjo shprehje del si ngulçim nga shpirti si nevojë për ndihmë, si nevojë për shpëtim, si dëshirë për të ndarë një gëzim, sukses apo edhe dështim. Dhe nëna është aty gjithnjë, madje është aty dhe kur ajo nuk është, kur nuk jeton. Është forca e saj dhe energjia e një lidhjeje hyjnore mes vetes dhe krijesës se saj.

Nëna është dobësia e çdo djali që prej aromës se gjirit kur lind e deri te aroma unike e çdo fije floku, kur nëna shkon drejt perëndimit të jetësisë së përtokshme të saj. Nëna është dera e përjetshme e sekreteve, mësimeve dhe lotëve e gëzimeve të një vajze, është etalon për jetën apo model për mënyrën, sjelljen, edukatën, kujdesin, butësinë, ashpërsinë, korrektësinë, përkujdesësinë, është nëna e ardhshme e një fëmije, sikurse ishte për të nëna e saj, në çdo rast me gjithçka diti apo nuk diti, nëna që e lindi dhe e rriti.

Nëna është brenda bukës së thekur me pak vaj e pak djathë, nëna është brenda një çaji kur fyti dhemb, nëna është syri pagjumë i përkujdesjes kur jemi sëmurë, nëna është loti i gëzimit kur martohemi e trashëgohemi, nëna është bashkëvuajtëse me ne dhe si ne, kur rrëzohemi, kur jemi vetëm, apo kur na lëndojnë apo lëndojmë dikë. Nëna është te dera e spitalit, te dera e burgut, nëna është te pllaka e varrit për të folur me ty edhe kur je nën dhe, është forca e vetme që të thotë se duhet të çohesh për ta riprovuar sa herë rrëzohemi që kur jemi të mitur, kur gabojmë se jemi të rinj, apo kur bëhemi burra e gra me fëmijë.

Pavarësisht moshës sonë, nëna mbetet nënë, e ne për të fëmijë. Nëna është ajo që nuk gjen qetësi pa ditur nëse kemi ngrënë, pirë, veshur, a jemi në punë, në shtëpi, a jemi qetë a kemi ndonjë shqetësim. Nëna është ajo që kur hyn në derë, të kupton vetëm me një shikim. Nëna të lexon pa folur e pa shkruar, nëna të kupton pa ditur e pa kërkuar, nëna të mbështet edhe kur mendon se ke mbaruar, je një qenie e falimentuar, nëna është forca që nuk mbaron kurrë se ekzistuari dhe kur ajo nuk është, nuk jeton.

Nëna është paqja shpirtërore që na vjen pas si puhizë ere, për të na thënë se zoti ekziston, zoti për çdo kënd nga ne është nëna që na krijoi, është nëna jonë. Ohh nëna ime, e mira ime energjia dhe mirësia, sakrifica dhe dashuria pa kushte e jetës sime. E di se bashkë do jemi në të dy jetët si në këtë tokësore dhe atë qiellore.

Nënë nuk mjafton një 8 mars, apo një ditë e vetme për të kujtuar dhe treguar madhështinë dhe forcën tënde, sepse forca e nënës është forca e zotit mbi tokë.

Përjetësisht nëna ime!