Ballina Kuriozitete Gruaja që jetoi 117 vjet kishte gjene që mbanin qelizat e saja...

Gruaja që jetoi 117 vjet kishte gjene që mbanin qelizat e saja “më të reja”

21
0

Maria Branyas Morera, një grua e lindur në SHBA, ishte personi më i vjetër në botë deri në vdekjen e saj në Spanjë vitin e kaluar, në moshën 117 vjeçare. Ajo ia atribuonte jetëgjatësinë e saj “fatit dhe gjenetikës së mirë”, dhe duket se kishte të drejtë, raporton The Guardian, transmeton KosovaPress.

Një studim mbi mikrobiomën dhe ADN-në e Branyas, që shkencëtarët filluan para vdekjes së saj, ka zbuluar se gjenet që ajo kishte trashëguar i lejonin qelizat e saj të ndiheshin dhe të silleshin sikur të ishin 17 vjeç më të reja. Mikrobiota e saj – bakteret në zorra që luajnë një rol në shëndetin e trupit – ishte e ngjashme me atë të një foshnjeje, sipas kërkimit të udhëhequr nga profesori i gjenetikës në Universitetin e Barcelonës, Manel Esteller.

Gazeta Ara, që mbulon rajonin katalanas ku ajo kaloi shumicën e jetës së saj, raportoi për herë të parë rezultatet e studimit mbi “gjenomën e privilegjuar” të Branyas. Ekipa e Estellerit gjeti se Branyas ruajti qartësinë mendore deri në fund të jetës së saj.

Problemet shëndetësore që ajo kishte gjatë viteve të saj të gjata të jetës ishin kryesisht dhimbje në nyje dhe humbje dëgjimi.

Esteller dhe kolegët e tij shpresojnë që ky studim të ofrojë informacion të vlefshëm për ata që kërkojnë të zhvillojnë medikamente dhe trajtime për sëmundjet që lidhen me moshën. Ata thanë se Branyas tregon se plakja dhe sëmundjet nuk janë gjithmonë të lidhura, të paktën në disa rrethana.

Branyas, e lindur në vitin 1907, ka jetuar përmes disa ngjarjeve globale të mëdha, përfshirë Luftën Civile Spanjolle, Luftën e Dytë Botërore, pandeminë e gripit të vitit 1918 dhe Covid-19.

Ajo u bë e njohur në mbarë botën pasi mori Covid në vitin 2020, kur Spanja ishte një nga vendet më të prekura nga virusi dhe vaksinat mbrojtëse ende nuk ishin të disponueshme. Megjithatë, ajo e kaloi Covid pa simptoma dhe u shërua lehtësisht.

Branyas mori njohjen nga Rekordet Botërore të Guinness si personi më i vjetër në botë në janar 2023, pas vdekjes së murgeshës franceze Lucile Randon, 118 vjeçe. Kur u pyet nga organizata Guinness për të reflektuar mbi jetëgjatësinë e saj, Branyas tha se ajo e atribuon atë “rendit, qetësisë, lidhjes së mirë me familjen dhe miqtë, kontaktit me natyrën, stabilitetit emocional, pa shqetësime, pa pendime, shumë pozitivitet dhe larg njerëzve toksikë”.

“Unë mendoj se jetëgjatësia është gjithashtu fat”, shtoi Branyas, e cila shprehej në vitet e saj të fundit përmes një pajisjeje të shkrimit me zë. “Fat dhe gjenetikë e mirë”.

Ajo ishte një nënë, gjyshe dhe stërgjyshe e ve, dhe vdiq më 19 gusht në një shtëpi pleqsh në qytetin e Olot, në veri-lindje të Spanjës, ku kaloi dy dekadat e fundit të jetës së saj.

Siç raportohet nga faqja LongeviQuest, prej të mërkurës, personi më i vjetër në botë është Inah Canabarro Lucas nga Brazili, 116 vjeç.