Nga Raimonda Moisiu
Pjesa e parë
Dr. Ilinden Spasse është djalë shkrimtari, që për të do të thotë shumë, se ka lindur bashkë me letërsinë, me artin e të shkruarit. Ai është i biri i Sterjo Spasses, një prej shkrimtarëve shqiptarë më në zë të shekullit XX-të, një prej urave lidhëse më të fuqishme mes dy kombësive shqiptare dhe asaj maqedonase, shkrimtari modern, i cili evokoi paqen dhe harmoninë mes kombeve. Të dy, atë dhe bir janë pionierë të letrave shqipe, që duken sikur dalin nga muzeu historik i letrave shqipe. Veç prirjes natyrale të Dr. Ilinden Spasses, shkak frymëzimi për të shkruar u bënë ëndrrat dhe përvojat e jetës, me zërin e tyre të brendshëm dhe individualitetin e tyre.
Është prozator që ka një fuqi të magjishme në defilimin e një numri të madh personazhesh, njerëz të thjeshtë e me pushtet, zbulon jo vetëm karakterin e tyre plot jetë në të kaluarën e në të ardhmen, por na rrëfen edhe lirinë e tyre me humor të hollë e të ndjeshëm, sarkazëm të goditur nga ana artistike, duke na dhënë kënaqësinë dhe duke e shndërruar shkrimtarin Ilinden Spasse, në një mjeshtër të rrëfimit, si baba i tij. Ka botuar në fushën e letërsisë romane e tregime, ku ndër to spikat në mënyrë të veçantë edhe vepra monografike “Im Atë, Sterjo”.
Në fushën e përkthimeve ka sjellë “100 personalitetet më të shquara në histori” të autorit Majkëll Hart. Në fund të muajit korrik, unë u takova me Dr. Ilinden Spassen dhe bashkëshorten e tij, një zonjë tejet sharmante, Marien, së bashku me shkrimtarin e poetin, Përparim Hysi, në Tiranë. Ishte një kafe shkrimtarësh, ku tema kryesore ishte letërsia dhe kritika letrare. Më dhuroi romanin e tij të fundit “Pavijoni i filozofëve”.
Unë veçanërisht dëshiroja ta pyesja për krijimtarinë letrare të atit të tij dhe për krijimtarinë e tij të hershme letrare, kohën kur filloi të shkruante gjatë jetës së tij, por edhe aktualisht. Në këtë intervistë, shkrimtari i mirënjohur dhe i talentuar, Dr. Ilinden Spasse, flet për vete dhe atin e tij, shkrimtarin e shquar, eruditin, Sterjo Spasse.
Z. Spasse, më pëlqen të jem e drejtpërdrejtë me ju: -A ka qenë letërsia një interes shumë i hershëm i juaji, apo diçka që lindi si pasion e dëshirë?
Në fakt, duke qenë djalë shkrimtari, më takon të them që unë kam lindur mes letërsisë. E them këtë, se në fëmijërinë time të hershme, unë “luaja” me shokët e babait, përkëdhelesha nga ata, më merrnin me biçikletë e më shëtisnin nëpër Tiranë, apo më shpinin me fëmijët e tyre në stadium, për të parë ndonjë ndeshje futbolli. Shumica e tyre ishin tërë humor dhe me sjelljen e tyre, të bënin që t’i doje shumë, ndonëse ende isha fëmijë dhe ata në sytë e mi, dukeshin shumë të mëdhenj.
Ata ishin shokë e tim eti, por ashtu si silleshin me mua, më dukej sikur ishin “shokët” e mi. Vonë shumë vonë mora vesh, që ata ishin shkrimtarë. Fjalën shkrimtarë deri në shkollën fillore, nuk e konceptoja dot. Kur vajta në shtatëvjeçare, e kur mësuesja e letërsisë na jepte ndonjë copë leximi të shkruar nga këta autorë, unë si i papërmbajtur që isha, bërtisja: “Këtë autor të këtij tregimi, unë e njoh”.
“Ky më ka dhënë gjysmë çokollate, se gjysmën tjetër ia kishte ngrënë ‘ujku’; ky i këtij tregimit tjetër, më ka blerë akullore, ky….”, etj. E këta autorë, që unë i njihja mirë, e që i kisha “shokë”, ishin Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Nexhat Hakiu, Petro Marko, Vedat Kokona, Dhimitër Shuteriqi, Shefqet Musaraj e më vonë Jakov Xoxa, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Ismail Kadare, Dritero Agolli, e të tjerë, që në mënyrë më të hollësishme jam përpjekur t’i përshkruaj në librin tim monografik, “Im atë Sterjo”(1995).
Pra të gjithë këta që i përmenda më lart, kanë krijuar letërsinë shqipe, pra e përmend edhe një herë, që unë kisha lindur në mes të tyre, pra në mes të letërsisë, se ata ishin themeluesit e letërsisë së re shqipe.
Cila është gjëja më e rëndësishme që ju keni mësuar, kur filluat të kuptoni se çfarë është jeta?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje, për mua është e vështirë. Në jetë çdo gjë zhvillohet gradualisht dhe çdo gjë fillon të kuptohet gradualisht sipas moshës, sipas interesave të moshës, sipas kulturës që merr nga familja, shkolla, shoqëria apo mjedisi ku jeton, por edhe sipas prirjes që ka çdo fëmijë…! Një gjë është e vërtetë, që në moshën e adoleshencës, je më i frenuar, në mënyrë të pandërgjegjshme je në kërkim të vetvetes; në moshën e rinisë (i riu si veriu) “i di të tëra, je më i fortë se të gjithë, etj.”! Ndërsa në moshën e pjekurisë fillon e analizon shumë gjëra, shumë bëma të jetës dhe fillon e mban qëndrim kritik ndaj vetes. Nuk e di në se kjo i jep përgjigje pyetjes që më bëtë?!.
A ju kujtohet botimi juaj i parë dhe t’i keni thënë vetes: “Ja dola! Edhe unë jam shkrimtar”! Kur ka ndodhur kjo, herët apo më vonë?
Po, më kujtohet shumë mirë, kur kam shkruar e botuar tregimin tim të parë. Ose më mirë të them, skicën time të parë. Se skicë është. Ka qenë fillimi i viteve 1960. Pasi mbarova mësimet, dola nga shtëpia për t’u çlodhur. Pa pritur në mëhallën time, diku në Rrugën e “Kavajës”, pashë një vajzë, që ma tërhoqi vëmendjen. Dhe në mënyrë të pavetëdijshme, fillova që ta ndiqja pas, pa ndonjë pikësynim. Diku m’u zhduk!
Kthej kokën majtas, kthej kokën djathtas, ishin ngritur mjaft pallate, në një kohë rekord. I kisha parë edhe më parë këto pallate, por kësaj radhe më bënë përshtypje, shumë përshtypje, ndoshta nga që më “kishin fshehur” vajzën që ndiqja. E pikërisht, këtu, në një moment pëshpërita me vete: “Duke kërkuar vajzën…”! që u bë dhe titulli i skicës. Dhe ideja qendrore ishte ajo e kohës: Duke kërkuar vajzën, pashë shumë pallate, pra lëvrinte puna.
Gjithnjë në mënyrë të pavetëdijshme u ktheva në shtëpi dhe mbresat e atij momenti, i hodha menjëherë në letër. Mbasi e shkrojta skicën sikur u lehtësova, ishte një ndjesi mjaft lehtësuese, që nuk e kisha provuar herë tjetër. Fillova ta rilexoja e ta korrigjoja. Po pas kësaj?! Në një moment m’u mbush mendja dhe ja dhashë tim eti, për ta lexuar. Dhe prita disa ditë për të më dhënë përgjigje, por ai nuk po më thoshte asgjë. Përpiqesha që mos kapja ndonjë detaj në sytë e tij, por hiç përgjigje.
Njëqind herë u pendova dhe e mallkova veten, që ia dhashë atij për ta lexuar. Në sytë e mi ai ishte idhull dhe një idhull të merrej me budallallëqet që shkruaja unë, e aq më tepër që titulli ishte provokues; “Duke kërkuar vajzën”! U pendova, që u tregova aq mendjelehtë, që e futa në telashe edhe atë, për këtë problem. Dhe ai, si për inat nuk më kthente përgjigje. Edhe unë si për inat, nuk guxoja ta pyesja. Isha mjaft i ndrojtur. I tillë jam edhe tashti, në këtë moshë të thyer. Kur, një paradite, dëgjoj një zë nga fundi i oborrit të shtëpisë: -Urime Ilo, u botua ajo!
Unë me vrap dola përjashta dhe pashë Nondën, ku me një dorë mbante biçikletën e tij “Bjanki”, ndërsa me tjetrën, tundte një gazetë. Unë shtanga. Nuk po e kuptoja ku e kishte fjalën. Ai zgjati gazetën “Zëri i Rinisë”, ku në faqen e parë, vura re titullin; “Duke kërkuar vajzën” dhe poshtë një skicë, një djalë duke ndjekur një vajzë..dhe akoma më poshtë, emrin tim të nënvizuar. Kam përshtypjen që babai, në ato momente u gëzua shumë më tepër se unë, por ai që u gëzua më tepër se ne të dy, ishte vetë Nonda. Ç’kishte ndodhur?!
Babai, pasi e kishte lexuar tregimin, kishte marrë në telefon Nondën, për t’i kërkuar edhe atij një mendim, që do të ishte më realist, si i paanshëm. Por ai, sa e kishte lexuar tregimin, pa i thënë gjë babait, e kishte shpënë te gazeta “Zëri i Rinisë”, ku ia dha në dorë kryeredaktori Dhimitër Verlit.
Që më vonë e njoha edhe unë dhe ruaj kujtimet më të mira për këtë kryeredaktor, që ka ditur t’i përkrahë shumë talentet e reja. Dhe kështu skica ime e parë, u botua në gazetën “Zëri i Rinisë”, në fillim të viteve 1960. Mendoj se vetë mjedisi familjar ku unë u rrita, ka ndikuar më tepër se kushdo tjetër, në formimin tim letrar.
Gjatë hulumtimit rreth aktivitetit tuaj krijues, hasa titullin e monografisë; “Im atë Sterjo”. Cilat qenë rrethanat që ju ndjetë nevojën për t’u shprehur e për të treguar, për atin Tuaj?
Dashur pa dashur, me pyetjet që ju më keni bërë, jeni pozicionuar që në fillim tek monografia; “Im at, Sterjo”, që është edhe libri im më i arrirë. Unë kam qenë mjaft i lidhur me tim atë, jo vetëm nga që më mbante afër edhe në mjediset e shokëve të tij, gjë që ka ndikuar në pasqyrimin e personazheve të këtij libri, por edhe dega e shkollës që mbarova për letërsi, duket më afroi më tepër me të, për t’u konsultuar si për probleme letrare, ashtu dhe ato të arsimit, pasi Sterjoja për një kohë të gjatë ka qenë mësues, pastaj dhe redaktor i shtypit pedagogjik e, më vonë i atij letrar. Erdhi një kohë, kur ai kishte nevojë për mua, në aspektin fizik, pasi ishte rënduar mjaft nga shëndeti, vuante nga zemra.
Pra, unë, si të thuash u bëra “sekretari i tij”, duke daktilografuar jo me dhjetëra, po me qindra, për të mos thënë me mijëra faqe të krijimtarisë së tij. Sidomos cikli i tij i romaneve “Rilindësit”, për mua ka qenë një shkollë e dytë, qoftë për kulturën historike që kam marrë, qoftë për mënyrën e të trajtuarit të problemeve, qoftë për skalitjen e personazheve si ata kryesorë, ashtu edhe ata të dorës së dytë.
Punonim kohë e pa kohë. Në këto romane (5 të tillë), Sterjoja ka derdhur tërë energjitë e tij krijuese, me një përvojë tepër të madhe, si në kulturë ashtu edhe në të shkruar. Të punosh disa vjet me të në mënyrë tepër intensive, ku përfitoje një bagazh të madh, jo vetëm letrar, por edhe historik, edhe metodik të punës, e pastaj, krejt papritur “të të ikë nga dora”, për mua, birin e tij, ishte tepër e rëndë.
Menjëherë pas vdekjes së tij, m’u ofruan disa të njohur, që t’u jepja dokumentet e babait, për të shkruar ata ndonjë monografi për të. U ndodha në një dilemë: Pse të mos e shkruaja unë monografinë?! Kush më mirë se unë e njihte babanë tim, në gjithë aspektet e jetës:
Dokumentet janë dokumente, të thata, ndërsa në libër duhet të dilte shpirti dhe kështu iu futa menjëherë punës edhe asaj shkencore, duke hulumtuar çdo gjë që ishte shkruar për të, duke u konsultuar edhe me shokë të tij, duke lexuar çdo shkrim të tij, duke lexuar edhe mjaft monografi të huaja e, kështu me radhë, deri sa e përfundova për tre-katër vjet. Me botimin e këtij libri unë theva një tabu, që edhe djali mund të shkruajë për babanë. Pas kësaj, filluan të shkruhen mjaft monografi, nga njerëzit e afërt të familjes…!
Cilët ishin elementët thelbësorë, që ju bënë ju t’i futeshit me ngulm hartimit të monografisë për babanë tuaj Sterjo Spasse?
Mendoj se katër ishin elementët thelbësor që më nxitën për të ndërmarrë këtë hap të guximshëm për hartimin e kësaj monografie.
Unë u përpoqa që figurën e tim eti, ta shpalos në disa plane: 1) Si njeri: në marrëdhënie më familjen, (im atë, kishte një disnivel kulture shumë të madhe, me nënën time, e cila ishte pa shkollë fare. Por harmonia me të cilën ata kaluan tërë jetën, është një shembull i jashtëzakonshëm, sidomos për brezat e rinj, që një e dy vetëm zihen, vetëm grinden për mustaqet e Çelos, siç thotë populli.
Por ajo kishte një pasuri tjetër të madhe, gurrën popullore, që im atë e shfrytëzoi bukur në veprat e tij. Ajo ishte shumë mikpritëse, që shokët e babait në shtëpinë tonë, gjenin harmoninë familjare. Unë kurrë për gati 50 vjet që jetova me ta, nuk i kam dëgjuar të grinden një herë. Nuk e kam dëgjuar babanë ndonjëherë, t’i flasë nënës, apo të na shajë ne fëmijët, mua dhe dy motrat, Afërditën dhe Marianën. Në marrëdhënie pune, me shokët dhe eprorët, ka qenë shembull.
Të gjithë shokët e tij të penës, nxënësit e studentët e tij, letrarët e rinj, që më vonë janë bërë pena të fuqishme të letërsisë sonë, si dhe mjaft miq e shokë të profesioneve të ndryshme, gjenin në atë shtëpi njeriun njeri, me të gjitha virtytet njerëzore, por gjenin dhe forcën mikpritëse të nënës tonë, gjenin buzëqeshjen e saj. Ndaj ajo shtëpi për shumë veta, u bë si një “Klub shkrimtarësh”, ose si një “Klub”, ku këta njerëz qanin hallet e tyre ose konsultoheshin për problem të ndryshme jetësore…!
2- Si mësues, duke shërbyer në arsim në vende të ndryshme të Shqipërisë, ai jetoi me hallet e nxënësve dhe mësuesve. Ishte një metodist i shkëlqyer, kishte një elokuencë të veçantë në të shpjeguarit e lëndës. Mësuesia atij i shërbeu për të shpalosur në revistat me karakter pedagogjik, mjaft probleme të metodikës, të angazhohej thellësisht në reformën arsimore të vitit 1946, jo vetëm me dhënien e mësimit në mënyrë të përkryer, por duke botuar një sërë artikuj publicistikë, në fushën e arsimit.
Madje duke hartuar edhe mjaft tekste shkollore si autor dhe si bashkautor, të cilat kanë shërbyer me dekada të tëra në shkollat tona shtatëvjeçare e të mesme. Edhe dy nga romanet e tij të para “Afërdita” dhe “Afërdita përsëri në fshat”, e që kanë bërë mjaft jehonë në kohën e tyre, si në Shqipëri dhe në Kosovë, pikërisht arsimit i kushtohen, pikërisht emancipimit të shoqërisë shqiptare me anën e zhvillimit të arsimit.
E ky emancipim fillon që në klasat më të ulta të shkollës fillore e deri më të larta, ky emancipim fillon në radhë të parë me emancipimin e mësueseve, si forcë kryesore e emancipimit të shoqërisë./Memorie.al