Nga dje, udhëtimi drejt Dibrës dhe anasjelltas kryhet brenda 90 minutave.
Hapja e tunelit të Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit që lidh Tiranën me Dibrën shkurton kohën e lëvizjes nga Tirana në Dibër me gati 3 orë
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të ceremonisë së hapjes së tunelit.
“Pamje të shumëpritura të dorëzimit të tunelit “kokëshkëmb” të Murrizit, dëshmi e faktit kokëfortë se s’ka kala që ne nuk e marrim”, tha Rama.
Kryeministri uroi veçanërisht dibranët.
“Ta gëzojnë bashkimin me Tiranën”, tha ai.
I shumëpritur për të gjithë banorët e Dibrës, dhe jo vetëm, tuneli i Murrizit i cilësuar edhe si shtylla kurrizore e rrugës së Arbrit, përbëhet nga dy tunele, nga tuneli kryesor me një gjatësi prej 3789 dhe tuneli i emergjencës me gjatësi 3781m, i përbërë nga 11 hyrje dhe dalje.
Rruga e Arbrit, një nga arteriet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, përfundimi i së cilës sjell një lehtësim të madh në lidhjen mes Tiranës dhe Dibrës.
Ky projekt madhor ka përfshirë ndërtimin e 54 kilometra rrugë me 10 kilometra tunele dhe 1.4 kilometra ura.