Dëshira Mena, drejtore e unionit të inxhinierëve, ishte këtë të diel e ftuar në “Review” ku ka komentuar rreth tragjedisë me të paktën 59 viktima në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku një diskotekë u përfshi nga flakët.
Ajo tha se ambienti i përdorur për diskotekën ishte i pasigurt dhe nuk përmbushte asnjë kriter për të zhvilluar këtë aktivitet. Ajo tha se nga porta e emergjencës së këtij objekti mund të dilnin diku te 50 persona, gjë që edhe ka shkaktuar dhjetëra viktima e qindra të lënduar.
“Objekti nuk është një objekt i përshtatshëm për atë aktivitet. Nuk ka volumin e duhur, nuk ka hapësirat e duhura, nuk ka strukturën e duhur për të funksionuar si e tillë. Nuk flas fare për çështjen e zhurmave, por një objekt në të cilin ti mbledh 1500 veta në një sipërfaqe të tillë të vogël, ku ke një derë për 50 veta. Kjo do të thotë se i gjithë perimetri i saj me atë numër dyersh nuk i mbulonte dot.
Sikur muret të hapeshin me buton prapë nuk do dilnin dot, jo më ata që kishin një derë si derë shpelle ku duhet të dilnin të gjithë. E dyta, objekti ka qenë një objekt i djegshëm i gjithi, të gjitha kanë qenë element të djegshëm. Ka qenë si një bombë që me provokimin më të vogël mund të aktivizohej. E treta veç dyerve për evakuim, nuk kishte asnjë plan evakuimi. nuk kishte asnjë drejtues që të dilte dhe të drejtonte turmën në një moment të caktuar. Aty nuk funksioni as sistemi i alarmit, as audio”,-tha Dëshira Mena.