Regjisori italian Giuseppe Tornatore, i njohur për klasikët si “Cinema Paradiso” dhe “The Legend of 1900”, do të jetë presidenti i jurisë për Çmimet “Golden Goblet” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Shangai (SIFF) të këtij viti, planifikuar për më 13-22 qershor, shkruan “Xinhua”.
Festivali ka pesë seksione konkurruese: filma me metrazh të gjatë, talente të reja aziatike, dokumentarë, filma të animuar dhe filma të shkurtër.
“Festivalet e filmit nuk janë vetëm një festë e kinemasë, por edhe një rast për të bërë bashkë pjesëmarrës nga vende të ndryshme, për të shkëmbyer ide dhe për të vlerësuar filmat e shquar”,- tha Tornatore.
Ai u bëri një ftesë kineastëve në mbarë botën, duke theksuar rëndësinë e festivalit për regjisorët e rinj: “Për regjisorët e rinj, kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të nisur karrierën e tyre dhe potencialisht për të arritur sukses përmes festivalit”.
Themeluar në vitin 1993, SIFF është një ngjarje prestigjioze globale, e nxitur nga ambicia e Shangait për t’u bërë një qendër kulturore ndërkombëtare. Eventi ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare në rritje falë tregut të lulëzuar të filmit në Kinë.