Kandidati për deputet i Partisë Demokratike Aulon Kalaja ka denoncuar gjendjen në të cilën është lënë një nga segmentet më kryesore të Fushë-Krujës, që e lidh zonën me një pjesë të mirë të qyteteve veriore. Bëhet fjalë për segmentin pranë shkollës “Gjon Luka” të Luzit.
Pamjet flasin vetë, një rrugë e amortizuar, e gjitha me gropa të cilat prej shiut janë mbushur me baltë dhe që është kthyer në një shqetësim të madh jo vetëm për mjetet e tonazhit të rëndë, por sidomos për banorët e zonës. Këta të fundit përpos faktit që duhet të kalojnë çdo ditë në një rrugë të degraduar, duhet të durojnë ndotjen dhe zhurmat e përditshme për shkak të trafikut të rënduar. Kalaja thotë se situata është emergjente dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme.
DEKLARATA E PLOTË
Ju përshëndes të gjithëve!
Ndodhemi në një pjesë të unazës së Fushë-Krujës, në pjesën që lidh qytetin e Fushë-Krujës me Luzin apo për daljen në autostradë për të marrë drejtimin e veriut. Kjo është pamja e rrugës që qytetarët hasin çdo ditë, jo vetëm mjetet e tonazhit të rëndë, por edhe banorët e kësaj zone.
Është pikërisht shkolla “Gjon Luka” e Luzit ajo që shikojmë majtas. Kjo është një ndër rrugët më të amortizuara, jo vetëm të zonës së Fushë-Krujës, por edhe të Shqipërisë. Të shikojmë tani se si do të kalojnë dy kamionët me njëri-tjetrin.
Është momenti që t’i bëjmë thirrje qeverisë që të ndërhyjë në këtë rrugë, sepse është një ndër rrugët më kyçe, më kryesore, që lidh qytetin e Fushë-Krujës me një pjesë të mirë të Shqipërisë. Është një makth më vete.
Pra, shikojmë nëqoftëse do ta kapim nga kjo anë, gropat janë shumë të mëdha dhe imagjinoni kur bie shi, por edhe nga ana tjetër vazhdon, vazhdon, vazhdon… Kjo është pika më delikate e kësaj rruge.
Ky denoncim shkon për instancat shtetërore. Të vendosin dorë, sepse të gjitha këto shtëpi që janë këtu, shikojmë, janë të gjitha këto familje. Kanë shumë zhurma dhe niveli i ndotjes është shumë i lartë, sepse ngrihen pluhura sipër dhe jetesa e tyre është bërë e pamundur, si majtas për banorët që jetojnë këtu, si djathtas. Duhet ndërhyrje urgjente për këtë rrugë.