Në vitin 2020 ish-ministri austriak i Financave, Grasser u dënua me tetë vjet burg, ndër të tjera për mitëmarrje. Gjykata e Lartë e vendit e konfirmoi tani vendimin për fajësinë, por e uli dënimin me burg.
Ish-ministri austriak i Financave, Karl-Heinz Grasser, u dënua me katër vjet burg për mitëmarrje nga Gjykata e Lartë e Austrisë. Gjykata tha se ka prova që ish-politikani i partisë FPÖ ka shpërdoruar postin dhe ka pranuar dhurata dhe ryshfet, por e përgjysmoi masën fillestare të dënimit me burg. Po ashtu Gjykata e Lartë e rrëzoi vendimin e dënimit për falsifikim provash të marrë ndaj ish-ministrit Grasser nga shkalla e parë .
Ryshfet në miliona për informacione të brendshme
Pas shumë vite hetimesh Grasser, i cili ishte ministër i Financave nga viti 2000 deri në vitin 2007, u dënua në vitin 2020 me tetë vjet heqje lirie, nga Gjykata Rajonale e Vjenës. Akuza ndaj Grasser ishte se në vitin 2004 i kishte dhënë një investitori privat informacione të rëndësishme lidhur me çmimin që kërkohej për shitjen dhe privatizimin e 60,000 apartamenteve që i takonin shtetit.
Në këtë mënyrë kompania e pasurive të paluajtshme e investitorit në fjalë arriti të sigurojë kontratën si ofertuesja më e lartë. Grasser dhe pjesëmarrësit e tjerë thuhet se kanë marrë për këtë shpërblime prej 9.6 milionë eurosh.
Dënimi më i lartë i dhënë ndonjëherë për një politikan
“Kemi të bëjmë me krime të rënda dhe pa precedentë në Austri”, tha kryetarja e trupit gjykues. Megjithatë, për shkak të zgjatjes së procedurës, gjykata vendosi uljen e dënimit me burg. Gjithësesi pavarësisht uljes së dënimit, ky mbetet dënimi më i lartë i dhënë ndonjëherë për një politikan të lartë austriak.
Grasser dhe avokati i tij thanë se vendimi shkel ligjin dhe drejtësinë dhe njoftuan se do të ankohen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Megjithatë ky hap nuk ka efekt ndaj vendim dhe nuk çon në shtyrjen e dënimit me burg./DW