Ballina Europë Skandali me rrjedhjen e informacioneve të luftës, Waltz merr përgjegjësinë e plotë:...

Skandali me rrjedhjen e informacioneve të luftës, Waltz merr përgjegjësinë e plotë: Është e turpshme! Do e zbulojmë si ka ndodhur

30
0

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare amerikane, Michael Waltz, mori përgjegjësinë e plotë për shtimin e gazetarit në një bisedë grupi në Signal, që përfshinte disa zyrtarë të lartë të Trump-it, dhe që diskutoheshin planet për një sulm të mundshëm ndaj Huthis në Jemen.

“Unë marr përgjegjësinë e plotë. Unë e ndërtova grupin”, tha Waltz në emisionin “The Ingraham Angle”. “Është e turpshme. Do të zbulojmë se çfarë ka ndodhur”.

Kryeredaktor i revistës “The Atlantic”, Jeffrey Goldberg, zbuloi se ekipi i sigurisë kombëtare të presidentit Donald Trump, e shtoi atë në një bisedë top-sekrete mbi sulmet ushtarake në Jemen, të quajtur “Houthi PC Small Group”.

Pjesë e grupit ishin edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard.

Waltz gjithashtu shprehu disa kritika ndaj “The Atlantic”, duke u shprehur se ai nuk e njihte Goldberg jashtë asaj që NSA e cilësoi si “reputacionin e tij të tmerrshëm”.

“Unë mund t’ju them 100% se nuk e njoh këtë njeri. E njoh atë për reputacionin e tij të tmerrshëm, dhe ai vërtet është më i keqi i gazetarëve. Dhe e di atë në kuptimin se ai e urren presidentin, por nuk i dërgoj mesazhe. Nuk ishte në telefonin tim. Dhe ne do të kuptojmë se si ndodhi kjo”, tha Waltz.

Waltz gjithashtu adresoi komentet e presidentit për NBC të martën, që një anëtar i stafit të zyrës së Waltz-it ishte përgjegjës për shtimin e gazetarëve në grupin e bisedës.

“Asnjë anëtar i stafit nuk ishte përgjegjës”, tha ai. “Dikush mori numrin e gabuar në kontaktin e dikujt tjetër. Tani, nëse e bëri qëllimisht apo ndodhi në një mënyrë tjetër teknike është diçka që po përpiqemi të kuptojmë”, tha ai.