Makthi më shumë se njëvjeçar i Refik Halilit për zotërimin e Klubit të Futbollit Tirana ka marrë fund, pasi Gjykata e Lartë ka pushuar çështjen që kërkonte nxjerrjen në ankand të 66 përqind të aksioneve të klubit bardheblu që zotërohen nga kompania “Halili shpk”.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Lartë më 29 janar 2025 dhe është pasqyruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 11 mars 2025 ku thuhet: “Depozitimi i urdherit Nr.912/55 Prot., Nr.912/D datë 03.03.2025, lëshuar nga Zyra Permbarimit Privat “ALBASE” shpk, me permbarues Baftjar Nela protokolluar nga Qendra Kombetare e Biznesit me nr. 4684, date 06.03.2025 , ku është urdhëruar: Heqja e sekuestros te Aksioneve ne masen 66% qe i perkasin shoqerise “Halili” shpk te “Klubi Futbollit Tirana” sha, pasi eshte pranuar padia e debitorit me vendimin civil Nr. 11217-01656-00-2017, dt 29.01.2025 te Gjykates se Larte.”
Me këtë vendim KF Tirana i ka aksionet e lira dhe llogaritë bankare të çliruara, duke mos pasur asnjë pengesë për regjistrimin në aktivitete ndërkombëtare, gjithmonë nëse ia arrijnë në fushë.