Gjatë një takimi me qytetarët e Durrësit, kandidati për deputet i Partisë Demokratike Aulon Kalaja ka deklaruar se është kërcënuar nga bandat kriminale për shkak të angazhimit të tij në kauzën kundra projektit të “Velierës” që ka rrezikuar dhe dëmtuar arkeologjinë dhe historinë e qytetit bregdetar.
Ai theksoi se këto kërcënime nuk e kanë lëkundur në qëndrimet e tij dhe se do të vazhdojë betejën për të mbrojtur interesat e qytetarëve.
Deklarata e plotë
Në politikë jam futur për disa arsye, por arsyeja kryesore është axhenda e pastër nga Soros, për shpopullimin e Shqipërisë. I kam kërkuar liderit të opozitës, një Komision hetimor Parlamentar për vënien para përgjegjësisë të të gjithë autorëve të shpopullimit të Shqipërisë.
Për flamurin besoj se e keni parë që kanë dashur ta ndërrojnë flamurin tonë me flamurin e LGBT-së, sepse e gjithë familja ka qenë në një inkursion të jashtëzakonshëm, duke e zëvendësuar mamin me prindin 1 dhe babin me prindin 2.
Kemi parë që ky ka prekur dhe territorin, me marrëveshjen e detit me Greqinë, që edhe Greqia do të zgjerohej me 12 milje, që unë e kam kundërshtuar. Por edhe me marrëveshjen Rama-Meloni. Se iu tha durrsakëve që ne i jemi borxhlinj Italisë. Po është e vërtetë, sepse një pjesë prej jush ka emigruar në Itali, ka punuar me djersën e ballit. Por ne në Lezhë nuk po presim italianë. Ata janë njerëz që vijnë nga bota e tretë. Pa qenë racistë fare. Por a kemi të bëjmë këtu me konceptin e shpopullimit dhe të ripopullimit? Që do të thotë, të përzëmë shqiptarët e të marrim njerëz të tjerë që do t’i tundin degët e palmave këtyre mjeshtrave që janë, jo më shumë se 3000 në Shqipëri që kanë para. Dhe ne kemi një plan prej 50 faqesh, se si do t’i kthejmë shqiptarët në Shqipëri, fëmijët tuaj.
Në politikë jam futur dhe për një shprehje tjetër, të një presidenti të Amerikës që unë e kam për zemër, që është John F. Kennedy, i vrarë për lirinë dhe demokracinë e atij vendi, i cili tha mos pyet se çfarë ka bërë vendi yt për ty, por thuaj se çfarë ke bërë ti për vendin tënd.
Prandaj do ndalem vetëm në dy momente që më lidhin mua me Durrësin. Momenti i parë është kauza jonë që kemi bërë për Velierën. Jemi përplasur me Vangjush Dakon, i kam bërë një pyetje në komision parlamentar: ”Ku e merr rrogën ti, në Beograd apo në Athinë, që do të shkatërrosh arkeologjinë e Durrësit?”
Kemi bërë protesta, na ka rrahur, na ka çuar grupe të armatosura kur ne e kemi gdhirë te “Torra Veneciane”, në 2017-ën. Më kanë kërcënuar personalisht bandat e Durrësit, por nuk jam tërhequr, kam qëndruar bashkë me ju, me qytetarët durrsakë, për të mbrojtur historinë dhe arkeologjinë e këtij qyteti. Sepse thirrja jonë ishte “Mos ma prek Dyrrahun”. Dhe momenti i dytë që doja të ndaja me ju, bashkë me disa miq këtu, kemi qenë dhe kemi dalë përballë Mohamed Alabbar, me një shprehje në anglisht që ne e bëmë atëhere, “Hands off Durrës Harbour” (Mbaj duart larg nga porti i Durrësit). Jemi përplasur me të.
Unë kam një zonë shumë të vështirë siç është Kruja dhe Fushë-Kruja, pa diskutim origjina ime është aty, familja ime jeton aty dhe ne do ia dalim më 11 Maj. Jo vetëm në Durrës, por edhe atje do korrim një fitore të jashtëzakonshme.