Ballina Kosovë Rritja e çmimit të energjisë në Kosovë, aktivistët godasin me tortë kreun...

Rritja e çmimit të energjisë në Kosovë, aktivistët godasin me tortë kreun e ZRRE

25
0

Energjia elektrike në Kosovë do të shtrenjtohet me 15% duke nisur nga muaji prill. Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh brenda një muaji, çmimi i energjisë elektrike është 7.79 centë për kWh, ndërsa pas shtrenjtimit, pritet që një kilovat të kushtojë 8.96 centë.

Ky vendim pritet të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe të shërbimeve, ndaj qytetarët kanë shprehur hapur revoltën kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë.

Grupi i aktivistëve “Asnji Cent Ma Shumë” ka organizuar edhe një veprim simbolik, duke goditur me një tortë kryetarin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, shihet një aktivist duke ia përplasur Fejzullahut tortën, mbi të cilën shkruhet 15%, në timonin e automjetit.

“15% nuk kalon. No pasarán, pas kërkesave të shumta nga qytetarët, kemi vendosur ta “ëmbëlsojmë” kryetarin e ZRrE-së me 15%. Zotni Ymerit i pëlqejnë tortat me pronarët e KEDS-it, ndaj sigurisht që duhet t’i pëlqejnë edhe tortat e qytetarëve. Urime”, thuhet në njoftim.