Më shumë se 500 anëtarë të Akademisë së Oscar-ëve, përfshirë Mark Ruffalo, Penélope Cruz dhe Alfonso Cuarón, kanë kritikuar Akademinë për mungesën e mbështetjes ndaj regjisorit palestinez Hamdan Ballal, pas arrestimit të tij nga autoritetet izraelite.
Në një letër të hapur, ata dënuan sulmin dhe ndalimin e Ballalit, një prej bashkëregjisorëve të dokumentarit fitues të Oscar-it “No Other Land”, duke e cilësuar këtë si një sulm ndaj lirisë artistike dhe dëshmisë së së vërtetës. Akademia reagoi me një deklaratë të përgjithshme mbi shtypjen e artistëve, por pa përmendur Ballalin apo dokumentarin.
Ballal u arrestua dhe u mbajt për 24 orë nga ushtria izraelite pas një sulmi të dhunshëm nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor. Ai u lirua me plagë të shumta, duke deklaruar se kishte frikë për jetën e tij.
Përveç Akademisë Evropiane të Filmit dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Dokumentarëve, edhe emra të mëdhenj të Hollywood-it i janë bashkuar thirrjes për mbështetjen e Ballalit dhe mbrojtjen e artistëve në rrezik.