Ballina Politika ‘1 milionë e 327 mijë të punësuar në Shqipëri’, Rama nga Athina:...

‘1 milionë e 327 mijë të punësuar në Shqipëri’, Rama nga Athina: Këneta ka probleme me aritmetikën

39
0

Nga Athina, Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike, duke theksuar se PD-ja ka probleme të rënda me aritmetikën.

Ai iu përgjigj kritika për mosrealizimin e premtimit për 300 mijë vende pune, duke përdorur shifra konkrete për të mbrojtur realizimet e qeverisë së tij.

Rama tha se aktualisht janë regjistruar 1 milionë e 327 mijë të punësuar në Shqipëri, duke përmendur se regjistrat e shtetit tregojnë një rritje të numrit të të punësuarve nga 1 milionë e 23 mijë sa ishin kur PS mori detyrën. Ai theksoi se ndonëse PD-ja ka shprehur përqeshje për premtimin për 300 mijë vende pune, ky premtim është realizuar dhe diferenca është më shumë se 300 mijë.

“Kur hyni aty për të mësuar se çfarë po bëhet në Shqipëri, ndër shumë përqeshjet, është edhe përqeshja se kur morëm detyrën premtuam 300 mijë vende pune dhe kjo nuk ndodhi. Mjafton të shohësh regjistrat e shtetit, aty ku në fakt të punësuarit janë të regjistruar me emër dhe mbiemër. Aty ishin 1 milionë e 23 mijë shqiptarë që figuronin të punësuar, ndërkohë në regjistrin e pagave sot janë 1 milionë e 327 mijë. Ne e dimë të gjithë që këneta ka probleme të rënda me aritmetikën, por unë besoj se aritmetika thotë se mes 1 milionë e 23 mijë dhe 1 milionë e 327 mijë janë pak më shumë se 300 mijë diferencë që janë sot të punësuarit në Shqipëri”, tha Rama.