Inxhinieri teknik i një firme ndërtimi i cili po kryente punime në zonën e Palasës është arrestuar nga blutë e Vlorës.
Sipas njoftimit të policisë, 45-vjeçari, nga Tirana, një ditë më parë ka lejuar derdhjen në det të ujërave me përbërje të panjohur, nga zona e punimeve ndërtimore.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë arrestuan në flagrancë shtetasin I. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier teknik i një firme ndërtimi që po kryente punime në zonën e Palasës.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se ky shtetas, më datë 05.04.2025, ka lejuar derdhjen në det të ujërave me përbërje të panjohur, nga zona e punimeve ndërtimore, duke shkaktuar ndotje të gjirit të Dhralesë dhe prishje të ekuilibrit ekologjik në këtë zonë bregdetare”, njoftoi sot policia.
Materialet u referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.