Nga Albi Xhunga
Të lëvizësh me makinë në Tiranë të neveritet jeta. Nuk besoj se e ka matur kush shpejtësinë mesatare të automjeteve që lëvizin brenda zonës urbane, por jam i sigurt se është njëshifrore. Një neveri e vërtetë e përzier me stres, me sherre, me të shara dhe me një humbje kohe kolosale. Kjo e bën cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës mizerabël dhe qytetin një kaos gjigand ku të gjithë luftojnë me të gjithë dhe ku i vetmi ligj që realisht funksionon, është ligji i xhunglës.
Askund tjetër nuk shikon shoferë aq të stresuar sa në Tiranë. Nuk njihet prioritet tjetër veç atij të “futjes së turirit” të makinës me dhunë. Të gjithë shtyjnë të gjithë. Njerëzit shtyhen me makinat në kuptimin e parë të fjalës. Askush nuk e di pse harxhohen paratë e taksapaguesve për të bërë vendkalime këmbësorësh, për sa kohë askush nuk ndalon kur ka këmbësorë aty ku ata kanë prioritet. Madje këto vendkalime këmbësorësh mund të jenë të rrezikshme për të huajt, të cilët gabimisht mund të mendojnë se aty kanë prioritet. Kjo mund të jetë fatale. Në Tiranë i vetmi prioritet që ke kur kalon në një vendkalim këmbësorësh, është prioriteti për të thyer ndonjë këmbë në rastin më të mirë dhe prioriteti për të vdekur në rastin më të keq.
Tirana ka pak rrugë, çka pjesërisht vjen nga një intensitet të lartë banorësh për km2 dhe të dyja bashkë vijnë si rezultat i babëzisë për ta zgjeruar qytetin për së larti (sado paradoksale të duket kjo fjali). Tirana përveçse pak rrugë, ka edhe shumë makina, çka shkakton ndotje dhe trafik të panevojshëm. Mungesa ulëritëse e hapësirave të gjelbra plotëson mozaikun e një qyteti depresiv. Një qytet i mrekullueshëm u shndërrua në një monstër urbane nga grykësia.
Po t’ia tregosh problemet e trafikut të Tiranës një shkodrani, apo një hollandezi, do të të përgjigjet se në të tilla raste një biçikletë vlen ar. Përveçse nuk ngec në trafikun e shpifur, bën dhe pak ushtrim fizik për të mbajtur veten në formë. Mirëpo Tirana është e ndotur dhe e rrezikshme. Tymi që gjendet kudo e bën të pakëndshëm dhe të pashëndetshëm lëvizjen me biçikletë. Mungesa e korsive të dedikuara, mungesa e legjislacionit që mbron çiklistët dhe mungesa ulëritëse e kulturës së shoferëve, e bëjnë lëvizjen me biçikletë në Tiranë të rrezikshme. Këtu duhen llogaritur dhe ata qytetarë që kanë fëmijë të vegjël dhe nuk kanë shkollë afër. Pra ata qytetarë që janë të detyruar të përdorin makinën dhe për rrjedhojë të vuajnë në kuptimin e parë të fjalës.
Ka dhe një zgjidhje tjetër për të lëvizur në një qytet jo edhe aq të madh si Tirana; të ecësh në këmbë. Është një mënyrë edhe e shëndetshme, edhe ekonomike, edhe ekologjike. Mirëpo këmbësorët, përveç ndotjes dhe rrezikut që vjen nga mungesa e kulturës së shoferëve për të mbrojtur përdoruesit vunerabël të rrugës, kanë dhe një problem, që është i paparë dhe i padëgjuar për një kryeqytet europian; nuk kanë trotuar. Në një pjesë shumë të madhe të rrugëve të Tiranës nuk ka trotuar. Po po, e lexuat mirë. Nuk ka trotuar fare. Pa llogaritur ato rrugë që kanë një trotuar në të cilin ho vetëm që nuk mund të shkëmbehen dy njerëz, por as nuk mund të ecë një person pa praktikuar një ecje skiç. Duhet theksuar se, këto rrugët pa trotuar fare apo me gjoja trotuar, i gjen kryesisht në Tiranën e ndërtuar në demokraci. Duhet thënë se në Tiranën që na la regjimi i kaluar standardet e një qyteti respektoheshin më shumë se sot. Kjo është një e vërtetë e madhe.
Ndezja e bllokazhit
Situatës së përshkruar shkurt më sipër (se po ta përshkruash gjatë e me detaje mund të nxjerrësh një shkrim horror) i duhet shtuar dhe fenomeni i bllokazhit. Pra sikur të mos mjaftonte ferri i shkaktuar nga sa renditëm më sipër, kemi dhe fenomenin e bllokazhit. Bllokazhi që bllokon jetën e qytetit. Bllokazhi që dyfishon trafikun e llahtarisur të Tiranës. Bllokazhi që redukton një korsi në të gjitha rrugët e qytetit pa përjashtim. Me bllokazh, kupto ndalesën apo parkimin në korsinë e parë dhe ndezjen e 4 sinjaleve që në perëndim ndizen ose në rast emergjence ose në raste kur makina ka defekt dhe është imobile.
Qytetarët e Tiranës paguajnë një polici bashkiake, një polici rrugore, një polici normale dhe nuk e di sa polici të tjera. Qytetarët e Tiranës paguajnë një administratë të fryrë bashkiake dhe natyrisht, një kryetar bashkie (megjithëse për momentin është banor i Durrësit). E megjithatë duhet të vuajnë në një mobilitet mizerabël, një qytet që nuk ka rrugë për makinat, një qytet ku nuk ka korsi për biçikletat, një qytet ku nuk ka trotuar për këmbësorët, një qytet që nuk ka legjislacion të posaçëm për t’i mbrojtur përdoruesit vunerabël të rrugës.
Bashki dmth komunitet
Njerëzit bashkohen për të organizuar jetën e qytetit. Për ta lehtësuar atë. Për t’i krijuar qytetarëve mobilitet dhe siguri. Ato shoqëri njerëzore që nuk dinë ta bëjnë këtë, janë ose shoqëri budallaqe, ose shoqëri të korruptuara, ose shoqëri edhe budallaqe edhe të korruptuara.
Imagjino një ambulance me një të aksidentuar që ka nevojë urgjente për operacion. Në të gjithë botën e qytetëruar makinat mblidhen në njërën korsi, për t’i lënë të lirë ambulancës tjetrën. Në Tiranë kjo nuk është e mundur, sepse korsia e parë është e zënë nga makinat që kanë ndezur bllokazhin.
Është e vërtetë se ky qytet është dhjerë njëherë e mirë, e për ta bërë sërish një qytet të jetueshëm, duhet ta zbrazësh nga banorët, ta bombardosh dhe ta rindërtosh nga e para. Por të paktën, për ta bërë sa më të lehtë bashkëjetesën në këtë kaos të dhimbshëm, të paktën zhdukeni fenomenin e bllokazhit që kalb jetën e qytetit. Aplikoni sanksione aq të forta sa askujt të mos i shkojë mendja ta bëjë më. Vërtet që nuk do të mund ta lini makinën dy minuta me bllokazh sa për të blerë cigare, ama do të jeni të gjithë pak më të lumtur që bllokazhi nuk do t’ua kalbë më jetën.
Pastaj qytetarët e Tiranës do të mund të fillojnë të merren me problemet e vërteta.
Sot për sot jetojnë në një qytet mizerabël për të lëvizur me makinë, mizerabël për të pedaluar një biçikletë dhe mizerabël për të ecur në këmbë./alfapress