Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një takim në degën 6 në Tiranë, ku prezantoi kandidatët për deputetë, Nevila Nika, Azgan Haklaj dhe Saimir Lika, përpara strukturave të koalicionit.
Në fjalën e tij, Basha theksoi se në 12 vite sidomos në katër vitet e fundit, qeveria e Edi Ramës ka bërë pazar për interesa të ngushta personale, duke dëmtuar interesat e shqiptarëve. Ai solli në vëmendje pasojat e korrupsionit, ekonomisë në rënie, rritjes së çmimeve, taksave dhe largimit të rinisë, duke e lidhur këtë situate, siç e quan ai me, matematikën e korrupsionit të Ramës, “7×7=313″.
Basha akuzoi Ramën dhe aleatët e tij për përfitime të paligjshme dhe theksoi se vetëm me një ndryshim të thellë mund të sigurohet një ekonomi e qëndrueshme dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë. “Hallet e shqiptarëve nuk kanë të bëjnë me hallet e Edi Ramës dhe shokëve të tij,” tha Basha.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Ata që bëjnë sikur janë të lidhur me njëri-tjetrin, por në fakt rrinë me thika pas shpine, sepse gjithësecili prej tyre ka hallin e vet, interesin e vet. Dhe kështu kanë rrugëtuar për këto katër vite duke bërë Pazar me njëri-tjetrin për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. Asgjë nuk i mban bashkë nga ato që bashkojnë shqiptarët. Hallet e tyre nuk janë halet e shqiptarëve. Hallet e shqiptarëve kanë burim korrupsionin, ekonomia në rënie, çmimet në rritje, kostot e jetës të papërballueshme, shumëfishimi i taksave, rënimi i shëndetësisë dhe arsimit, largimi masiv i rinisë shqiptare në veçanti dhe i shqiptarëve në tërësi, janë pasojat e drejtpërdrejta të këtij korrupsioni të ulur këmbëkryq në këto 12 vite e në veçanti në këto 4 vitet e fundit.
Ndaj ishte si një shkrepse në kashtë të thatë kur shprehjes tashmë virale iu përgjigj i madh e i vogël, në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. Matematikës së korrupsionit të Edi Ramës, iu përgjigj çdokush dhe tashmë i madh e i vogël e di tabelën e re të shumëzimit, 7×7=313. Është tabela e shumëzimit të korrupsionit, që është edhe burimi i halleve dhe problemeve të shqiptarëve.
Ndaj dhe konomia jonë lëngon, sepse paratë o do jenë në paratë e qytetarëve, o do jenë në xhepat e shokëve të Ramës. Sepse mirëqenia o do t’i takojë të gjithë qytetarëve, ose do të grumbullohet si pasuri e paligjshme tek shokët e Edi Ramës. Sepse suksesi i sipërmarrjes o do jetë burim i meritës, i punës së ndershme, i djersës dhe investimeve të sipërmarrësve shqiptarë, ose do të grabitet nga shokët e Edi Ramës. Të dyja bashkë nuk rrinë. O njëra, o tjetra. Këto halle të shqiptarëve nuk kanë të bëjnë aspak me hallet që lidhin bashkë Edi Ramën me shokët e tij tek 313 dhe disa shoqe, një pjesë rrugës e një pjesë atje, sepse hallet e tyre janë si t’i shpëtojnë drejtësisë. Kjo i lidh bashkë ata, si t’i shpëtojnë drejtësisë.