Valbona Xoxa nëna Ajola Xoxës është paraqitur disa herë në godinën e Prokurorisë së Posaçme, ku thirrja e saj në SPAK lidhet me hetimet që po zhvillon Prokuroria e Posaçme ndaj dhëndrit të saj, Erion Veliaj dhe së bijës, Ajola Xoxa.
Nga përgjimet e zbardhura së fundmi në media duket qartë se Valbona Xoxa ka qenë e instruktuar jo vetëm nga avokatët dhe përfaqësuesit ligjorë të saj, por edhe nga vetë dhëndrri i saj, Erion Veliaj, i cili gjendet prapa hekurave në paraburgimin e Durrësit prej gati dy muajsh.
Më datën 18.02.2025 në orën 20:51, Ajola Xoxa bisedon me Erion Veliajn dge i tregon se është e shqetësuar se të nesërmen duhet të paraqiten në Prokurori nëna e saj Valbona dhe daja Erald Simixhiu.
“Erion Veliaj i tregon se po i bënë dy-tre pyetje ata duhet të thonë: “Do të pyes avokatin dhe do t’ju them. Erdha vetëm për t’ju përgjigjur thirrjes, por nuk dëshmoj kundër vajzës, s’kam detyrim ligjor, kaq asigjë më shumë”. “Edhe të shkojnë aty dhe të thonë jo, nuk dëshmojmë kundër vajzës time, as ti thotë i qëndroj deklarimeve, s’ka ça i qëndron fare, as nuk flet fare, nuk dua të dëshmoj, nuk dua të dëshmoj, po shkatërroni familjen të tërë, s’dua të dëshmoj”. Më pas, Erion Veliaj i tregon se ka biseduar me Maksin dhe të premten do të mblidhen të gjithë te Dhoma e Avokatisë, e ndoshta do të ndërmarrin ca veprime si në shkallë më të gjerë, se kjo është kot, avokatët nuk ekzistojnë, për ca duhet ky profesion”, thuhet në dosjen e përgjimeve të Erion Veliajt në burg të realizuara nga SPAK.
Dhe pas këtij instruktimi rezulton që një ditë më pas, pra më 19 shkurt, Valbona Xoxa është paraqitur në SPAK dhe qëndroi vetëm 15 minuta, ku lë të kuptohet se ajo ka zbatuar me përpikmëri udhëzimet nga qelia të Erion Veliaj.
HETIMET
Ndaj Ajola Xoxës, SPAK ngriti akuza për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Ndërsa ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili u vendos në pranga në zyrë më 10 shkurt, janë ngritur akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.