Ballina Europë Vritet me armë zjarri 43-vjeçari shqiptar në Itali/ Autori bie në prangat...

Vritet me armë zjarri 43-vjeçari shqiptar në Itali/ Autori bie në prangat e policisë

22
0

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës në Pordenone të Italisë, ku një shqiptar humbi jetën. Vladimir Topjana u qëllua me armë zjarri nga një shqiptar tjetër.

Supozohej të ishte një fundjavë normale, por gjithçka u kthye në tragjedi për familjen e 43-vjeçarit. Sipas asaj që shkruajnë mediat, ngjarja ndodhi pranë një lokali ku njerëzit ishin mbledhur për të shikuar ndeshjen e Serie A, Roma-Juventus. 43-vjeçari Topjana ka qenë duke folur me një të afërm në vendin e parkimit, para lokalit dhe një tjetër biznesi. Biseda e tyre u ndërpre nga një Audi i bardhë që erdhi me shpejtësi. Nga aty dolën dy persona të tjerë, gjithashtu shqiptarë. Mes të katërve më pas ka nisur një debat i ashpër që ka shkuar deri në ngritje zëri. Kjo ka tërhequr vëmendjen e disa klientëve, të cilët tentuan të rikthejnë qetësinë, por pa sukses. Më pas, shqiptarët kanë lëvizur në një hapësirë mes dy bizneseve, ku debati verbal u shndërrua në vrasje. Njëri nga personat nxorri armën dhe qëlloi të paktën tre herë. Një nga plumbat e kapën Topjanën në kokë duke i marrë jetën menjëherë. Policia njoftoi se pranë vendit të ngjarjes ka qenë rastësisht kunati i tij, i cili fillimisht nuk ka kuptuar se çfarë po ndodhte.

Pak pas tij ka mbërritur edhe djali i viktimës. 43-vjeçari, sipas mediave, e frekuentonte shpesh zonën pasi kishte disa të afërm që jetonin aty.

“Po parkoja dhe sapo dola nga makina dëgjova “Bam! Bam!”. Të shtëna. Shkova me vrap dhe pashë kunatin në tokë, kishte gjak. Kërkova ndihmë. Nuk më ka ndodhur kurrë diçka e tillë”, tha kunati i 43-vjeçarit. Hetuesit tashmë po kërkojnë prova që do të ndihmojë në investigim.

Me shumë mundësi viktima e njihte vrasësin e tij pasi ky i fundit iu drejtua menjëherë sapo zbriti nga makina. Sa i përket autorit, ai është arrestuar nga policia dhe bëhet fjalë për një 30-vjeçar, por shqiptar. Ai fillimisht u arratis nga vendi i krimit, por u kap pas disa orësh teksa ishte nisur në drejtim të një qyteti tjetër.