Ballina Sport Guardiola denoncon me forcë fyerjet e turpshme

Guardiola denoncon me forcë fyerjet e turpshme

35
0

Pep Guardiola u tregua shumë kritik ndaj një pjese të publikut në “Old Trafford”, pas derbit të Manchesterit mes United dhe City, që përfundoi 0-0.

Trajneri i Manchester City denoncoi koret ofenduese ndaj nënës së Phil Foden, me fjalët “Phil Foden, nëna jote është një lavire”, duke thënë se tifozët e United duhet të ndihen të turpëruar:

“Është mungesë integriteti dhe klasi, ata duhet të ndihen të turpëruar. Këtu nuk kemi të bëjmë me Manchester United si institucion, është fjala për disa njerëz, e kuptoni besoj… Nuk e imagjinoj dot se çfarë iu shkon ndër mend atyre që sulmojnë nënën e Phil”.

Guardiola theksoi gjithashtu se në futboll “jemi shumë të ekspozuar; trajnerët, pronarët dhe mbi të gjitha futbollistët”. Nga tribunat e “Old Trafford” u dëgjuan disa herë fyerje ndaj Claire Rowlands, nënës së Foden (24 vjeç), i cili pati një ndeshje të dobët dhe u zëvendësua nga Jeremy Doku në minutën e 58-të.

Megjithatë, Guardiola e mbrojti lojtarin e tij: “Kur ekipi nuk luan në nivelin që kemi pasur, duket sikur askush nuk është më ai që ishte. Sidoqoftë, unë shoh pasionin dhe buzëqeshjen në fytyrën e tij çdo ditë në stërvitje dhe kjo është ajo që dua”.

Në shkurt 2024, Claire Rowlands u përjashtua nga një klub nate në Uells, pas një incidenti. Ajo u përplas me policinë, duke thënë: “Mos më goditni në fytyrë. Bëhem si bishë kur pi… Hajde, më tregoni çfarë kam bërë? Mos u përballni me mua nëse s’keni prova”.

Ngjarja u regjistrua me video dhe u shfaq në gjykatë gjatë procesit. Claire u justifikua: “Isha e dehur. Ishte thjesht pak argëtim, një shaka. S’mund ta besoja që mund të hyja në telashe për t’i hequr dikujt kapelen. Është ‘truku’ im i festave, i heq dikujt kapelen dhe ia vë sërish. Nuk doja ta lëndoja. Ishte thjesht një shaka e keqkuptuar”.

Po ashtu, në shkurt 2022, Claire Rowlands ishte në qendër të lajmeve, pasi u sulmua në “Manchester AO Arena”. Pas një ndeshjeje boksi mes Amir Khan dhe Kell Brook, disa burra ofenduan Foden dhe, sipas pamjeve, Claire i shtyu. Njëri prej tyre iu kundërpërgjigj me grusht.

“Ishte një kasaphanë. Situata doli jashtë kontrollit. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë. Isha në dhomën ngjitur dhe dëgjova britmat, ndaj dola të shihja ç’po ndodhte”, – rrëfeu një dëshmitar. Manchester City publikoi një komunikatë zyrtare në të cilën shprehte mbështetje të plotë për Foden dhe familjen e tij.