Ballina Kulturë Recension mbi librin e titulluar “Fjalë zemre, emocione dhe përjetime shpirtërore” i...

Recension mbi librin e titulluar “Fjalë zemre, emocione dhe përjetime shpirtërore” i autorit dom Frok Zefi

34
0

Nga Leke Mrijaj

Libri me titull “Fjalë zemre, emocione dhe përjetime shpirtërore” i autorit dom Frok Zefi, është një vepër që meriton të lexohet jo vetëm nga besimtarët, por nga çdo kërkues i së vërtetës shpirtërore, shkencore e historike.

Ky libër është pjesë e një vepre më të gjerë kushtuar famullisë së Letnicës (Župa Letnica), dhe vjen si një testament shpirtëror, historik dhe shkencor për nderimin që i është bërë ndër shekuj “Zojës së Bekuar apo Zojës Crna Gore) në Letnicë. Andaj edhe ky libër simpatik vjen me një gjuhë të përzemërt, me përshkrime të ngrohta dhe tejet shpirtërore e të ndjera; dom Frok Zefi na udhëheq në një udhëtim përmes kohës, për të na njohur me përmasat e devotshmërisë që ky vend i shenjtë ka bartur për breza të tërë.

Libri në fjalë ndahet në katër pjesë kryesore:

● Në pjesën e parë, gjejmë një larushi përshkrimesh historike nga figurat kishtare të shekujve të kaluar. Pra, këtu takojmë arqipeshkvin e Shkupit Dario Bucciarelli (1872), dhe misionarin jezuit Francesco Genovizzi (1900), për të cilët, autori i veprës, dom Frok Zefi na sjell dëshmi të shumta autentike shumëdimensionale, duke na ndihmuar që të krijojmë një ide sa i takon jetës shpirtërore dhe karakterit ndërfetar të Letnicës, si një vend ku takohen besimi, përkushtimi dhe uniteti.

● Në pjesën e dytë, gjejmë reflektimet e Anto Bakoviqit nga viti 1968. Pra, në këtë pjesë, përmes nënndarjeve, të tilla si: “Zoja e Malit të Zi”, “Kampi i Zagragjës”, “Maqedonasja e ofenduar”, e “Romët janë shumë afër Zotit”, autori pasqyron një nostalgji të përzier me vuajtje, përkushtim dhe shpresë, ku përvijohen marrëdhëniet ndërfetare e ndërnjerëzore, si dhe përkushtimi universal ndaj Zojës Mari.

●Ndërsa në pjesën e tretë, gjejmë pjesën tipike autoriale të dom Frok Zefit (2024), dhe pikërisht kjo pjesë përbën edhe thelbin shpirtëror të librit. Autori dom Froku, ndalet me përkushtim në çdo detaj të kremtimeve, duke filluar me nëntëditëshin e përgatitjes, të takimeve me të rinjtë, të çifteve të martuara, meshët për të sëmurët, procesionet madhështore, deri tek nata e Zojës së Madhe dhe solemniteti përfundimtar. Ai dëshmon me emocion, por edhe me qartësi dokumentuese, se Letnica nuk është vetëm një vend pelegrinazhi, por është gjithashtu edhe një shenjë e gjallë e unitetit të fesë dhe të kombit.

●Në pjesën e katërt e të fundit, apo në pjesën përmbyllëse, gjejmë reflektimin kulturor e komunitar të vendosur me kujdes në fund të librit; kjo pjesë përshkruan jetën liturgjike, lutjet e përbashkëta, kremtimin e rruzares, si dhe programin kulturor që pason meshët dhe procesionet. Festa e Zojës së Madhe shfaqet si kulmim i besimit dhe ruajtjes së identitetit, si një festë që bashkon familjet, komunitetet dhe gjithë Kosovën me dashurinë e Marisë. Fjalët hyjnore që përshkojnë këtë vepër, nuk janë thjeshtë përshkrime ceremoniale, por një rrëfim plot me ndjenjë, mall e reflektim për atë që përbën Letnicën si zemra e besimit katolik në Kosovë.

Autori sjell një pasqyrë të thellë shpirtërore, ku historia nuk është vetëm kujtim, por një gurthemel monumental për ndërtimin e së ardhmes. Në mënyrë të veçantë, dom Frok Zefi tërheq qartësisht vëmendjen mbi karakterin ndërfetar dhe gjithëpërfshirës të pelegrinazhit në Letnicë, ku përmes figurës së Zojës bashkohen katolikët, ortodoksët, myslimanët, romët dhe laramanët. Kjo frymë e harmonisë përbën një model të bashkëjetesës së shëndoshë, por është edhe një thirrje për ta ruajtur dhe kultivuar këtë trashëgimi të shenjtë.

Ky libër është shkruar me një gjuhë të përzemërt dhe letrare, ku vet autori e ruan gjithmonë qartësinë dhe saktësinë (përmes referencave), duke i dhënë vend emocioneve dhe përjetimeve, e duke e përfshirë lexuesin jo vetëm intelektualisht, por edhe shpirtërisht. Ai, përmes këtij libri, na fton që të bëhemi pjesë e një udhëtimi reflektues për të njohur vetveten, rrënjët tona dhe përkatësinë tonë si bij të Zotit dhe të këtij vendi të bekuar.

Libri “Fjalë zemre, emocione dhe përjetime shpirtërore” i autorit dom Frok Zefi, është më shumë se një libër fetar; ai është një dokument i gjallë i devotshmërisë së popullit shqiptar autokton në Ballkan ndaj Zojës Mari; është një kujtesë për rrënjët tona shpirtërore, por edhe një thirrje për rikthim e bashkim përtej dallimeve. Në përfundim të këtij recensioni, me fjalë modeste e them se, ky libër është dhe mbetet një vepër që meriton të lexohet nga besimtarët e secilit komunitet fetar, por edhe nga çdo kërkues i së vërtetës shpirtërore, shkencore e historike të këtij vendi.

Urime për librin dom Frok! Mirënjohje për kontributin dhe vlerat tuaja. Suksese!