Analisti Genc Burimi ka komentuar rolin e Chris La Civita në fushatën elektorale të Partisë Demokratike, duke theksuar se ndikimi i tij shkon përtej fushatës klasike. Në një intervistë televizive, Burimi u shpreh se La Civita nuk ka domosdoshmëri të paraqesë një program elektoral, por sipas tij, mjafton të ndikojë te SPAK për të thirrur kryeministrin Edi Rama.
“Problemi i Sali Berishës nuk është më ‘non grata’, por kundërshtari real është Edi Rama. La Civita nuk ka nevojë për program. Nëse ai si amerikan thotë se ka të drejtë të ndikojë te SPAK, është se pretendon që Rama ka korruptuar zyrtarë të FBI-së dhe ka shkelur ligje në SHBA”, deklaroi Burimi.
Ai shtoi se koncepti i “non grata” është thjesht një lojë fjalësh politike, shpesh e përdorur për arsye gjeopolitike dhe strategjike, duke përmendur se Donald Trump ende nuk ka vendosur qartë qëndrimin ndaj Ballkanit Perëndimor.
Në vijim, Burimi vlerësoi ndryshimin që mund të sjellë La Civita në strukturën e fushatës së PD-së, duke theksuar se:
“Në Partinë Socialiste shihet vetëm Edi Rama në çdo pozicion – portier, mbrojtës, sulmues. Ndërsa në PD ka çdo ditë figura të reja. PS më ngjan me PSG-në që ka yje, por nuk ka lojë ekipore. PD-ja ka ekip. Protagonizmi i Ramës sot është më i madh se i Berishës kur kishte pushtet.”
Sipas Burimit, kjo qasje e re e opozitës dhe prezenca e një strategu amerikan si La Civita mund të ndikojë që edhe OPDAT të ushtrojë presion mbi SPAK për hetimin e Ramës, duke sjellë një tjetër dimension në garën zgjedhore.