Disa lëvizje kanë ndodhur së fundmi në Policinë e Shtetit, përkatësisht në komisariatin nr.2 të Policisë së Tiranës. Pak ditë më parë Shefi i krimeve në komisariatin nr.2 është transferuar në komisariatin nr.3 dhe shefi i krimeve në komisariatin nr.3 ka kaluar në komisariatin nr.2.
Po ashtu edhe një oficer i policisë gjyqësore dhe një agjent krimesh janë lëvizur nga komisariati nr.2, por ende nuk dihet zyrtarisht se ku janë transferuar. Ndër të tjera burime bëjnë me dije që edhe shefi i komisariatit nr.2 të ketë dorëzuar dorëheqjen nga detyra, por ende nuk ka informacion nëse është pranuar dorëheqja. Gjithashtu ende nuk dihen zyrtarisht arsyet e këtyre lëvizjeve të ndodhura në një nga komisariatet më të rëndësishme të kryeqytetit siç është ai i dyshit.
Kohët e fundit komisariati nr.2 ka zhvilluar disa operacione të rëndësishme, siç ishte edhe arrestimi i ish-policit Altin Morina 7 ditë më parë, i cili prej 11 muajsh ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi” për bashkëpunim me Durim Bamin në kultivimin e kanabisit në vitet 2019-2020 në Tapizë dhe Nikël.
Pas këtij operacioni të suksesshëm nga shërbimet e komisariatit nr.2 të arrestimit të një personi të shpallur në kërkim nga SPAK, dy ditë më pas ndodhën edhe ndryshime në këtë komisariat.
Kujtojmë që 4 muaj më parë në policinë e shtetit, u zhvillua gara dhe u emëruan 48 shefat e rinj të komisariateve dhe të krimeve në të gjithë vendin, të cilët në bazë të ligjit të ri për policinë e shtetit kanë një mandat 3-vjeçar.